Ekzekutoi punëtorin, Ilir Hoxha kërkon mëshirë: E vrava se më fyeu rëndë

“Arrest me burg” është masa e sigurisë që gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dhënë ndaj 40-vjeçarit Ilir Hoxha, autorit të vrasjes së 50 vjeçarit Dedë Xhakaj, ngjarje e ndodhur me 5 tetor në tregun e fruta-perimeve në qytetin e Shkodrës.Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, 40-vjeçari Hoxha përmes avokatit të tij Ndrekë Rukaj ka shfaqur pendesë duke kërkuar mëshirë, ndërsa pranoi se e qëlloi Xhakajn pasi ky i fundit e kishte fyer rëndë, madje në mënyrë të përsëritur përpara tregtarëve të tjerë.Një fakt i tillë u konfirmua edhe nga prokurorja e çështjes, Edlira Cufi, e cila theksoi se “50 vjeçari Xhakaj ishte i punësuar tek Hoxha dhe një javë përpara ngjarjes e ka pushuar nga puna, por në këtë moment kishin nisur edhe konfliktet pasi ky i fundit kishte pretendime për një sasi lekësh”.Më tej u sqarua përpara togave të zeza se debati kishte qënë i përsëritur mes tyre, duke agravuar deri në situatën finale, kur 40 vjeçari Hoxha nuk ka përballuar më ofendimet e shumta të Xhakajt, duke nxjerrë kështu pistoletën dhe qëlluar mbi të të gjithë karikatorin.Dëshmitarët e shumë në vendin e ngjarjes kanë treguar se 50-vjeçari u ndesh në treg me Ilir Hoxhën dhe nisën të debatonin me njëri-tjetrin.Menjëherë pasi e ka qëlluar, Hoxha ka deklaruar se ka hipur në automjetin e tij, ka mbushur karikatorin e dytë me 3 plumba për vetëmbrojtje dhe është larguar drejt banesës.Me të mbërritur ka njoftuar vjehrrin për ngjarjen dhe ky i fundit është drejtuar për në tregun e shumicës, ku ka parë trupin e pajetë të Xhakajt dhe policinë.Në bazë të informacioneve të marra nga dëshmitarët dhe më pas nga vetë vjehrri i Ilir Hoxhës, policia sëbashku me këtë të fundit i janë drejtuar banesës, atje ku 40-vjeçari është vetëdorëzuar pa rezistencë duke pranuar krimin.Në konkluzionet përfundimtare, prokurorja e çështjes ka kërkuar vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurisë atë të arrestit në burg.Në të njëjtën linjë ka qënë edhe avokati mbrojtës Rukaj. Pasi ka dëgjuar palët gjykatësja ka caktuar masën e sigurisë atë të “arrestit me burg”.Ajo çfarë ra në sy në seancën e sotme dhe që po e vuajnë të gjitha gjykatat në vend, është ajo se nga data 15 shtator një shkresë e Drejtorisë së policisë sqaron se për shkak të ndërrimit të godinës, nuk kryhet asnjë akt-ekspertizë, duke bërë që në ngjarje të mungojë ky dokument i rëndësishëm për trupin gjykues në vlerësimin e ngjarjeve.