Konispol, shpella 27 mijë vjeçare e Kreshmoit pa status monument kulture
Konispol - Nga arkeologët cilësohet si shpellë 27 mijë vjeçare, model jo vetëm për territorin shqiptar por për gjithë Europën Juglindore. Shpella e Kreshmoit në Konispol, ende rezulton pa statusin e Monumentit të Kulturës.Shpella e Kreshmoit ndodhet në perëndim të qytetit të Konispolit, 1.5 km larg në vijë ajrore. Ka një gjatësi 54 m. Eshtë me dy degëzime një në lindje dhe një tjetër në perëndim si dhe ka një hyrje të ekspozuar nga ana perëndimore, përballë detit Jon. Lartësia mesatare e Shpellës është 6.5 m ndërsa gjerësia është 6 m.Sipas arkeologëve, është quajtur Shpella e Kreshmoit, pasi ka shërbyer si vend pelegrinazhi, ku besimtarët e krishterë vinin për kreshmë, dhe si e tillë është quajtur Shpella e Kreshmoit. Nga banorët vendas njihet edhe si Dera e Shpellës.[caption id="attachment_394977" align="aligncenter" width="655"]
Ne foto Shpella e Kreshmoit[/caption]Halil Shabani, arkeologu që ka zbuluar i pari këtë Shpellë në vitin 1987 thotë se në të ka elementë të periudhës së Neolitit dhe Paleolitit në një shtresë kulturore me thellësi mbi 1.5 m.“Shpella e Kreshmoit është zbuluar në pranverën e vitit 1987 nga nxënësit e rrethit shkencor "Arkeologu ynë" të gjimnazit "Bido Sejko" të Konispolit. Me sondazhin e parë pamë se kishte elementë të periudhës së Neolitit dhe Paleolitit në një shtresë kulturore me thellësi mbi 1.5 m.I entusiazmuar për këtë zbulim shkova në qendrën arkeologjike në Tiranë dhe pas dy vjetësh nisën gërmimet në shpellë. Në vitin 1989 nisi këtu ekspedita e parë arkeologjike, e cila u shpërnda në gjashtë ekspedita rresht, ekspedita këto të kryera në periudhën e verës.Në vitet e para gërmimet u kryen nga ekspedita arekologjike shqiptare ndërsa në trevitet e fundit gërmimet u kryen me ekspedita të përbashkëta shqiptaro - amerikane, me profesorë të universitetit të Teksas të qytetit Arlington. Nga zbulimet arkeologjike rezultoi se në këtë shpellë kishte shtresa arkeologjike që nga periudha e Paleolitit të lartë.Me prova laboratorike dhe me metodat krahasuese u arrit të përcaktohej edhe mosha e Shpellës, e cila rezultoi me vjetërsinë më të lashtë, 26.500 vjeçare. Sipas arkeologëve shqiptarë dhe atyre amerikanë, që zhvilluan gërmime në këtë shpellë në vitet 1989 - 1994 këtu jeta njerëzore nuk është ndërprerë për asnjë rast dhe përfaqësohet në tërë epokat që ka kaluar ajo: epoka e paleolitit, neolitit, bakrit, bronxit e hekurit, periudha antike e ajo mesjetare deri në shek. e XII pas Krishtit.Të gjitha shtresat kulturore të zbuluara në Shpellën e Kreshmoit ishin të vendosura njera mbi tjetrën dhe në këtë aspekt kjo shpellë përbën një tip klasiku ose model jo vetëm për territorin shqiptar por për gjithë Europën Juglindore”. Kështu shprehet Halil Shabani.Gjatë luftrave të ndryshme Shpella e Kreshmoit ka shërbyer edhe si vend strehimi për t'u mbrojtur banorët e zonës./nzh/oranews online/