Një vit Qeveri me PS, Panariti: S’ka krisje koalicioni, reformim drejtësisë
Tiranë- “Marrëdhëniet janë shumë solide, koalicioni është i qëndrueshëm dhe është ndërtuar mbi bazë parimesh”. Me këtë deklaratë Ministri i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Bujqësinë, Edmond Panariti, hedh poshtë spekulimet për një tensionim të marrëdhënieve me PS në koalicionin qeveritar.Ndërsa vendi është në një krizë politike që pas marrjes së statusit kandidat në BE, Panariti vlerëson se tryeza e djeshme për reformën në drejtësi është një hap pozitiv për një përqasje konstruktive me palëve politike.“Takimi i djeshëm i thirrur nga Presidenti ishte dëshmi e faktit se palët u ulën dhe diskutuan. Paraqitën opsionet e tyre për reformën në sistemin e drejtësisë. Natyrisht pati përqasje të ndryshme. Dikush e shikon reformimin e sistemit nga brenda tij. Unë mendoj që nuk mund të kërkohet reformimi i sistemit brenda sistemit. Pala tjetër mendoi që ti referohemi dhe popullit nëpërmjet delegimit që ai u bën përfaqësuesve të tij në Kuvend. Ju e dini që disa anëtarë aty zgjidhen me mandat direkt me votim të Parlamentit dhe është në të drejtë të sovranit se kush do të jetë përbërja e re e KLD”.Anëtari i Kryesisë së LSI thekson se përmbyllja sa më shpejt e reformes ne drejtesi është në të mirë të vetë procesit integrues të vendit.“Gangrena e Shqipërisë ka qenë sistemi i drejtësisë, fakti që ky sistem nuk ushtron drejtësinë. Është pushtet i pavarur dhe do të respektohet deri në fund pavarësia. Nga ana tjetër ne nuk mund të jemi pandjeshëm ndaj abuzimeve, ndaj korrupsionit në këtë sistem. Ndaj partnerët ndërkombëtarë insistojnë që sistemi i drejtësisë duhet reformuar dhe reforma në gjyqësor është një nga kushtet kryesore të avancimit të Shqipërisë drejt BE. Nuk është vetëm vullneti i brendshëm që vjen nga të gjitha palët, por është kusht i integrimit të plotë të vendit në BE.Duhet ta përmbyllim sa më shpejt këtë reformë që është reformë institucionesh në thelb”.