Spekulantët, çmimet e produkteve përmes smartphonëve te konsumatori
Tiranë- A keni menduar ndonjëherë se mund të informoheni nga shtëpia mbi çmimet e produkteve bujqësore në tregjet e mëdha të vendit?Ky është projekti më i ri që Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave synon të të aplikojë, duke informuar të gjithë konsumatorët nëpërmjet smartphonëve të tyre mbi çmimet në tregjet e shumicës.Një fakt të tillë e bëri me dije vetë Ministri Panariti. Në një lidhje direkte për emisionin “Ditë e re” në RTV Ora News, Panariti tha se këto masa synojnë frenimin e spekulantëve, në një kohë kur jemi dhe në prag të festave të fundvitit.“Kam një ambicie tjetër,çmimi do tu kalojë të gjithë konsumatorëve nëpërmjet smartphonëve, madje edhe televizionet mund të kenë një rol aktiv. Duke bërë transparent çmimet në tregjet e shumicës ne parandalojmë spekulimet të cilat mbarten tek konsumatori veçanërisht në fundin e vitit. Me këtë mekanizëm ne do të mundohemi të stabilizojmë çmimet dhe të largojmë spekulantët një herë e mirë. Kemi aplikuar tregjet paralele kur kam qenë nënkryetar i Bashkisë, por mendoj që mënyra më e qëndrueshme është kjo. Në funksion të kësaj ishte dhe reforma në tregje”.Deri në arritjen e këtyre standardeve, Ministria do të operojë në një plan afatshkurtër me dy projekte pilot në dy tregje të mëdha në Elbasan dhe Kashar, ku do të zhvillohen miniankande për të gjithë prodhuesit që furnizojnë këto tregje.“Sa i përket çështjes së çmimeve kjo duhet të rregullohet. Por duhet të jemi të kujdeshëm që çmimet të jenë trasparente për konsumatorin. Në tregjet e mëdha do të fillojmë së shpejti dy projekte pilot në tregun e shumicës në Elbasan dhe atë të Tiranës në Kashar. Ne do të organizojmë miniankande për të gjithë prodhuesit që atje dorëzojnë produktet ushqimore. Në fillim të ditës ata do të vendosin çmimin që do të shesin një kg domate, etj. Pasi të vendoset çmimi ai do të behët trasnparent në tabela të mëdha elektronike”.Panariti tha se AKU është në inspektim të vazhdueshëm edhe sa i përket sigurisë ushqimore.“Kemi ndërtuar për herë të parë një sistem vertikal të monitorimit të cilësisë dhe sigurisë së produkteve ushqimore, e fillojmë që nga fara deri në pjatën e konsumatorit. Nëse një ushqim i ndotur bllokohet vetëm në një segment të tregut është e pamundur të parandalohet në të gjithë tregjet në vend”.Për të gjithë amvisat të cilat kanë rezerva mbi cilësinë e domateve gjatë sezonit që lamë pas, Ministri ka një sugjerim.“Ky është treg i hapur, por ju ftoj të konsumoni domatet e Shën Gjergjit, domaten e vonë të Korçës që është e pranishme dhe tani në treg. Mund të kemi dhe domate importi. Unë po dekurajoj dhe po marr të gjitha masat që të ulim në maksimum përdorimin e imputeve bujqësore. Ne subvencionet do ti orientojmë ndaj produkteve bujqësore Bio”.