Shqiptarët lamtumirë emigracion, kriza e BE kthen 134 mijë persona

Tiranë-Kriza ekonomike në vendet e Bashkimit Europiani ka detyruar shqiptarët që ti venë majat nga thembrat e të kthehen në shtëpi.Janë rreth 134 mijë emigrantë shqiptarë që kanë lënë rrugët e Europës dhe kanë prerë biletat pa kthim për në Shqipëri.INSTAT ka publikuar për herë të parë një studim të tillë. Sipas drejtorit të INSTAT, Gjergji Filipi, 70.8% e të kthyerve janë nga Greqia dhe 23.7% nga Italia.“Instrumenti i censusit të popullësisë dhe banesave në 2011 evidentoi jo vetëm një emigracion në vazhdimësi në shkallë të gjerë, por gjithashtu dhe rikthim në përmasa të konsiderueshme. Studimi tregon se 134 mijë emigrantë janë kthyer në Shqipëri përgjatë periudhës 2009-2013.Ritmi i kthimeve është përshpejtuar kryesisht pas 2011 me 1.5 herë.Kriza e thellë ekonomike në Greqi përgjatë 6 viteve të fundit, apo stanjacioni i gjatë ekonomik në Itali ka shtyrë një pjesë jo të vogël të emigrantëve të mendojnë për ripozicionimin e tyre si emigrantë në këto vende dhe për rrjedhojë të konsiderojnë dhe rikthimin në vendin e origjinës, në Shqipëri në këtë rast.Rreth 40% e tyre mendojnë të qëndrojnë përgjithmonë në Shqipëri, ndërsa rreth 1/3 e shohin kthimin në Shqipëri si të përkohshëm dhe synojnë menjëherë emigracionin e përsëritur”.Kthimi i emigrantëve në masë kërkon ndërkohë marrjen e masave të menjëhershme për integrimin e tyre.Përfaqësuesja e PNUD, Zineb Touimi Benjelloun, kërkoi që të të ndërmerren reforma për arsimimin e fëmijëve si dhe të ndihmohen ekonomikisht.“Ky studim është i pari në llojin e vet dhe do të ndihmojë në zhvillimin e politikave për të ndihmuar këta qytetarë.Që nga 2009 kemi parë krizën ekonomike në vendet e Bashkimit Europian, duke bërë që numri emigrantëve të kthyer të jetë i lartë, por pritet që të shtohet edhe më shumë në të ardhmen.Është e nevojshme që të bëhen edhe të tjera analiza dhe studime për të kthyerit, pasi është emergjente nevoja për ti ndihmuar ekonomikisht, por edhe në arsimimin e fëmijëve të tyre”.Mosha mesatare e emigrantëve të kthyer është 38.6 vjeç, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre deklarojnë se vitet e fundit dërgesat në para drejt familjeve kanë qenë shumë të rralla.Ndërsa shuma e dërgesës ka qenë 200 deri në 500 euro.