Qyteti i Kobanit, në kufi me Turqinë në dorë të IS
Sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga SHBA nuk kanë ndaluar militantët e Shtetit Islamik të hyjnë në Kobani të hënën e 6 tetorit, një qytet kyç që gjendet vetëm pak kilometra nga kufiri siriano-turk.Ata kanë marrë nën kontroll tri lagje ndërsa luftimet nëpër rrugë me kurdët vazhdojnë të pandërprera.Me të kapur lagjen e parë, luftëtarët e ISIS ngritën flamurin e zi ndërsa vetëm dje 2000 civilë nxituan të kalonin kufirin me Turqinë.Ushtria turke është pozicionuar në gjendje gatishmërie përgjatë kufirit, por nuk ka ndërhyrë, edhe pse aty pranë refugjatët kurdë bënin thirrje për t'i ndihmuar.Ndërkaq, rreth 270 kilometra më në lindje, në qytetin Hasaka, një luftëtar kamikaz i ISIS ka përplasur disa kampionë në pikat e kontrollit të mbajtura nga kurdët duke i shpërthyer pothuajse njëkohësisht e duke shkaktuar rreth 30 viktima.Zyrtarë lokalë në Kobani konfirmuan për BBC-në se qyteti do të binte shumë shpejt në duart e militantëve, pasi ata kontrollonin një pikë strategjike mbi kodër, prej nga po bombardonin zonat që mbroheshin nga kurdët.Një përfaqësues i qeverisë lokale kurde tha për BBC se do të ishte katastrofike nëse Kobani bie në duart e terroristëve dhe gjithashtu këshilloi Turqinë që të ndërhynte, pasi këtu ishte në lojë edhe siguria e saj territoriale.Ndërkohë, ushtria amerikane vazhdon të bombardojë pikat strategjike të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, edhe pse sidomos në këtë të fundit, duket se rezultatet nuk janë positive. Departamenti amerikan i shtetit ka konfirmuar deri më tani se janë shpenzuar më shumë se 62 milionë dollarë.