Kuvendi i Dhëndrrit dhe opozita e duhur

Kuvendi i fundëm i Partisë Demokratike ishte njëra nga farsat e zakonshme partiake, me të cilat na kanë mësuar palët e parisë së Tiranës. Në vend që të rivendoste shpresën tek një opozitë reale duke ju larguar Berishizmit dhe duke kërkuar rrugën e duhur për të gjithë shqiptarët, Kuvendi tregoi vazhdimësinë me të kaluarën duke kërkuar pastrimin propagandistik. Mbi të gjitha, Kuvendi i shërbeu vazhdimësisë së mbrojtjes së interesave të ngushta të familjes Berisha dhe promovoi formalisht dhëndrrin e Sali Berishës në strukturat e larta politike.Për këtë arsye Partia Demokratike, ose struktura politike që mbron interesat e Trustit të Gështenjave të Tropojës në bashkëpunim me klanet përkatëse kriminale, nuk mund t’i ofrojë shqiptarëve një opozitë të vërtetë. Duke zgjedhur vazhdimësinë, PD-ja jep një imazh pasqyrë të së kaluarës kriminale dhe të zvetënuar, e ngjashme në shumë pika me qeverinë e Rrulindjes Rama-Meta. Ky është një imazh i cili po na shërbehet i pastruar me lecka të përdorura e të parfumosura rishtaz si Lulzim Basha.Vazhdimësia me të kaluarën që u shpalos në këtë Kuvend ishte sa e paevitueshme aq edhe e frikshme. Kryetari formal Basha shpalosi edhe një herë boshësinë e plotë ideologjike duke ofruar thjesht buzëqeshje të ngërdheshura. Grupi që u promovua në krye të organeve nominale drejtuese është po ashtu pjesë e punëve të pista të familjes gjatë periudhës së pushtetit në nivele të dyta e të treat. Ndaj edhe nuk mund të pritet asnjë ndryshim prej tyre.Por shenja më e rëndësishme e vazhdimësisë me Berishizmin dhe lidhja e pazgjidhshme e strukturës me interesat e ngushta familjare ishte promovimi i dhëndrrit Jamarbër Malltezi, apo siç njihet në ambjentet mediatike, “disidenti i djathit”. I njohur si “djalë simpatik”, por edhe i pranueshëm nga ustallarët e vjetër për shkak të së kaluarës komuniste të familjes së vet, Malltezi po promovohet prej disa kohësh si alternativa e vetme e Trustit për të drejtuar partinë, sapo të piqen kushtet. Dalja e tij në skenë u bë e paevitueshme në kushtet kur reputacioni i Argita Berishës në publik është vrarë përfundimisht për shkak të pisllëqeve me tenderat gjatë pushtetit. Berisha e ka patur gjithnjë të qartë që djalin problematik nuk mund t’a katapultonte në krye të partisë për arsye tashmë të ditura publikisht. Kësisoj, alternativa e vetme që mbeti ishte disidenti i djathit.Për këdo që e njeh sado pak strukturën e PD-së së Berishës dhe mënyrën e funksionimit të saj klanor, lëvizja më e rëndësishme e këtij Kuvendi është emërimi i Dhëndrrit si kryetar në pritje. Për t’a bërë këtë kalim Dhëndrrit i nevojitej një promovim i shpejtë dhe efektiv në mënyrë që trahanaja që do i servirej militantëve të thjeshtë të kishte kripën e duhur. Ky promovim ka kaluar nëpër disa faza.Së pari, para disa muajsh Dhëndrri dha disa intervista mediatike në mënyrë që të njihej nga militantët se “dikur ishte ankuar për djathin”. Megjithë përqeshjen tallëse me të cilat u përball, stuhia mediatike shërbeu për t’a vendosur disidentin e djathit në vendet e duhura, në kohën e duhur. Formalisht, PD-ja i mban militantët me ushqim shpirtëror duke ju referuar idealeve të studentëve të Dhjetorit, edhe pse gjatë këtyre viteve versionet e historisë kanë ndryshuar sipas momentit politik. Versioni i fundit, i bërë më i pranueshëm nga vrasja e Hajdarit për motive kriminale, është se Azemi ishte strumbullari i lirisë dhe simboli i demokracisë. Megjithëse akuzat e Sali Berishës ndaj Hajdarit si spiun i Sigurimit, halabak i rëndomtë dhe zar i Ramiz Alisë janë të dokumentuara, Dhëndrrit i duhej të krijonte legjitimitetin duke e vendosur veten diku gjatë lëvizjes studentore. Greva e urisë ishte i vetmi vend ku për shkak të numrit të madh zyrtar të grevistëve, ky kungull mund të kalonte nën ujë. Pak rëndësi ka se Azemi kishte punuar fort në emër të Sali Berishës dhe PD-së kundër grevës dhe grevistëve derisa grevistët e mënjanuan, siç dëshmojnë disa nga organizatorët. Me pjesëmarrjen në grevë, Dhëndrri mundet të evokojë pjesëmarrjen në një ndodhi historike dhe të kënaqë pritshmëritë e militantëve.Së dyti, mungesa e njohjes së Dhëndrrit si emër nëpër struktura u tejkalua me anë të promovimit të grupit të ri drejtues. Edhe pse formalisht këta po promovohen nga Basha për të eliminuar të vjetrit, qëllimi i vërtetë i promovimit të tyre është hapja e rrugës për “disidentin e djathit”. Të përzgjedhur nga radhët e miqve të familjes me të cilët u mbushën nivelet e dyta e të treta gjatë qeverisjes, ata janë garancia se roli i Bashës është kalimtar dhe formal. Në momentin e duhur, me gjasë pas dështimit total në zgjedhjet lokale, nuk do ketë ndjesë propagandistike që t’a shpëtojë Bashën.Më anë tjetër, Berisha u kujdes që rruga e të rinjve të mos ishte e minuar nga ndonjë truk i të vjetërve. “Skupet” nga mediat e Edi Ramës mbi përgjimin e ish pushtetarëve berishianë gjatë periudhës së pushtetit ishin mesazhe të qarta të Berishës ndaj grupit të lënë pa llokmë se dosjet e tyre të ngjeshura me ngjarje korruptive e më tepër janë në duart e familjes, dhe ajo nuk do të ngurrojë t’i përdorë ato. Stili i hedhjes në treg me “dorën e kundërshtarit” për të fshehur origjinën por duke e dhënë të qartë mesazhin, është tipik i një operatori të regjur politik si Sali Berisha.Hapi i tretë për promovimin e Dhëndrrit është përfshirja e tij në Këshillin Kombëtar, gjë e cila garanton “zgjedhshmërinë” e tij edhe formalisht. Në kushtet kur Berishës i duhet të luajë kllounin mediatik për të mbajtur gjallë militantët duke premtuar se pushteti mund të jetë fare afër, Dhëndrrit i duhet legjitimitet edhe formal për t’a patur rrugën e hapur. Të gjithë e dimë se lojërat janë luajtur dhe fundi i qeverisë së Rrulindjes mund të vijë ose nga përplasjet e brendshme ose nga një revoltë e pritshme popullore nga e cila ka frikë pikësëpari vetë Sali Berisha. Për këtë shkak, familjes i duhet një mëkëmbës legjitim i cili të garantojë paprekshmërinë e tyre në opozitë por edhe të mbajë me shpresë të rreme militantët derisa Rrulindjes t’i ketë dalë boja krejtësisht dhe Trusti të bëhet sërish e keqja më e vogël. Rikthimi i nocionit të qëndrestarit në gjuhën politike të partisë e tradhton këtë pritshmëri për të qenë në opozitë për një kohë të gjatë.Emërimi i Dhëndrrit si udhëheqës i ardhshëm legjendar i partisë nuk ka gjasa të gjejë pengesa gjëkundi brendapërbrenda strukturave për shkak të kriminalizimit të skajshëm të tyre dhe pafuqisë përballë makinerisë së Berishës. Po ashtu, familja ka krijuar tokë të djegur rreth e rrotull Dhëndrrit, dhe humbja e sigurtë e zgjedhjeve lokale do të bjerrë edhe ndonjë iluzion që mund t’i ketë ushqyer vetes Basha.Mirëpo, situata në Shqipëri është vërtet e rëndë dhe Kuvendi i Dhëndrrit nuk ndryshon asnjë nga dinamikat për qytetarin e thjeshtë. Përtej akuzave boshe të hedhura sa për të larë gojën nga përfaqësuesit e Trustit, sundimi oligarkik dhe kleptokratik i parisë kriminale të Tiranës është real. As Doktori, as Piktori e as Blloknëdori nuk punojnë për interesat e shqiptarëve, por për interesat e klaneve të ngushta përkatëse. Rrulindja nuk mund t’i afrohet idealeve të Rilindjes Kombëtare, dhe Trusti i Gështenjave nuk mund të jetë opozita reale. E vërteta e thjeshtë është se nuk ka ndryshim real mes tyre. Ata janë pjesë e një Parie anti-kombëtare, kriminale dhe oligarkike e cila ka për qëllim të pasurohet në kurrizin tonë.Ndasia e vërtetë sotpërsot është midis Parisë dhe atyre që për interesa të ngushta e mbështesin agjendën e saj anti-shqiptare, dhe qindra mijëra shqiptarëve të heshtur në atdhe dhe mërgatë, të cilët duan të punojnë e jetojnë me nder në vendin e tyre, pa qenë vasalë të askujt, brenda mundësive që kemi. Revoltës së tyre të paparashikueshme, paria i druhet më tepër se cilësdo gjë tjetër. Ndaj edhe të gjitha palët e parisë po kërkojnë garanci duke konsoliduar kontrollin e strukturave përkatëse. Ata ja kanë frikën një force të re, të dalë nga vullneti real i shqiptarëve për ndryshim, për të gjetur rrugën e duhur, e cila është ajo e ndërtimit dhe konsolidimit të një shteti komb.Zgjidhja reale e problemeve vjen nga një forcë e re, me të rinj e të reja të papërlyer nga paria, e cila do të vendosë dhe zbatojë rregulla të qarta për të gjithë, kufizime dhe mekanizma të qartë ligjorë të bazuar në vlerat e shtetit komb. Kjo është e vetmja rrugë që na nxjerr nga bataku kriminal i parisë. Vështirësitë do të jenë të mëdha, por po aq i madh do të jetë satisfaksioni i rifitimit të një jetese me dinjitet në një komunitet me vlera të shëndosha kombëtare. Ka ardhur koha që politika të shndërrohet nga një mjet fitimi për disa në një mision shërbimi ndaj shqiptarëve. Kjo është rruga më e mirë edhe për ata pjesëtarë të parisë të cilët pranojnë të ndryshojnë udhë dhe u nënshtrohen rregullave të një shteti të konsoliduar. Asnjëherë nuk është vonë për të zgjedhur rrugën e duhur dhe për të ndërtuar një të ardhme me dinjitet. Të gjithë shqiptarët janë guximtarë dhe e ardhmja është e tyrja.Marrë nga Bleta Shqiptare