Berisha mbështetje drejtuesve të PD: Dy jetë të kisha, do luftoja për fitoren

Tiranë- Për Sali Berishën ky Kuvend kombëtar i PD-së mbase është më i vështiri. Për herë të parë para delegatëve nga e gjithë Shqipëria fliste me cilësinë e ish-kryetarit.Megjithatë lideri historik nuk e ka kursyer mbështetjen për pasuesin e tij në krye të së djathtës."Të gjitha gabimet tona, të gjitha dallimet tona, të gjitha vuajtjet dhe keqkuptimet tona nuk duhet të na pengojnë ne të shkëpusim vendin nga kjo klikë mafioze kleptokratike. Nga kjo platformë tua tju ftoj të mbështesim me gjithë shpirt udhëheqjen tonë të re që del nga ky kuvend dhe kryetarin tonë, zotin Lulzim Basha", tha Berisha.Me një mea culpa për 8 vitet e qeverisjes së tij nuk e ka kursyer veten përballë demokratëve si borxh për besimin që i kanë dhënë 23 vjet me rradhë."Përsa i përket Sali Berishës, unë kam bërë zgjedhjen time përfundimtare. Vërtet më 26 qershor unë dhashë dorëheqje nga drejtimi i PD, por sot dal para jush me bindjen më të thellë. Edhe dy jetë po të kisha, me punë ditë e natë nuk do të arrija tju shpërbleja ju, atë që keni bërë për mua. Ndaj do vazhdoj sëbashku me ju betejën me vendosmërinë më të madhe deri në fitoren tonë të merituar", u shpreh ish-kreu i PD.Dhe duke qenë një fjalim ndryshe si ish-kryetar, Berisha nuk ka kursyer emocionet e përlotjen para 7500 njerëzve që duartrokiten mbylljen e fjalimit të tij.