Kandidatët për në Këshillin Kombëtar, ish-ministra, ish-deputetë dhe artistë

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike zgjedh këtë të shtunë 150 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, në një liste me 285 emra, të cilët do të votohen nga 7500 delegate.Në listë nuk mungojnë emrat e emëruar nga kryetari Basha, si Grida Duma, aktualisht koordinatore e marrëdhënieve me publikun në PD, Ervin Salianji, Koordinator për çështjet ligjore, apo Agron Kuliçi, ish-zv drejtor i policisë, aktualisht këshilltar i grupit parlamentar të opozitës.Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy është se pjesë e listës janë edhe shumë të rikthyer, ish-deputetë që nuk u kandiduan nga ish-kryetari Berisha në zgjedhjet e fundit dhe që së fundmi, të paktën publikisht, nuk kanë qenë shumë aktivë në Partinë Demokratike.Për një vend në Këshillin Kombëtar janë edhe ish-ministrat Jemin Gjana, Ferdinant Xhaferri dhe Enkelejd Alibeaj, por edhe ish-deputetët, Dashnor Sula, Fatbardh Kadilli, Gjok Uldedaj, Osman Metalla, Gjok VUksani, Adriana Gjonaj.Në listën e aspirantëve përveç Kastriot Islamit që kandidimin e ka automatik si deputet, nuk mungon edhe ish-deputeti socialist Asllan Dogjani që në zgjedhjet e 2013-ës tentoi Kuvendin në listën e demokratëve.Ndër kandidatët për Këshillin Kombëtar ka gjithashtu një numër të konsiderueshëm personazhesh nga bota e artit dhe kulturës, si dyshja e humorit Ermal Mamaqi - Julian Deda, kompozitori Shpëtim Saraçi apo piktori Ardian Isufi.Nuk mungojnë edhe emra nga shoqëria civile, si sipërmarresi Italian Roberto Kaparrota, kryetarja e shoqatës së të shkarkuarve nga administrata Nertila Qafzezi, apo edhe gazetarë si Arbër Kadia e Alisa Braho.Nuk mungojnë emrat që kanë mbajtur pozicione të rëndësishme gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, si Arben Ibroja, Arben Qirjako, Elvana Hana, Flamur Gjymishka apo Gazmend Dibra, si edhe emra të drejtuesve aktualë të pushtetit vendor, si Dashamir Aliko, kryetar i komunës së Lazaratit, Besnik Fuci, kryetar i komunës së Kasharit, apo Fatbardh Plaku, kryetar i komunës së Farkës.Sipas statutit të Partisë Demokratike, 30 përqind e listës fituese do të përbëhet nga zonjat, çka do të thotë se të paktën 45 nga 150 fituesit do të jenë për to.

Lista me 285 kandidatët për Këshillin Kombëtar të PD-së