Ndalimi i testeve bërthamore,OKB thirrje 8 shteteve: Ratifikoni Traktatin
Paralelisht me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të premten u mbajt edhe një takim për Traktatin e Ndalimit të Testeve Bërthamore.Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, tha se ratifikimi i marrëveshjes është mjaft i rëndësishëm dhe i rekomandoi vendet anëtare që ta bëjnë këtë sa më shpejt."Duhet të bëjmë gjithçka është e mundur që të sigurojmë firmosjen e marrëveshjes për hir të planetit tonë dhe gjallesave që jetojnë në të", u shpreh Ban Ki Moon.Kjo përpjekje duket si themeli i nismës për të çliruar botën nga bomba bërthamore. Bisedimet për të kanë nisur që në vitet '90 dhe gëzon mbështetje të madhe në mbarë botën, por ende nuk është ratifikuar nga disa nga shtetet që njihen si zotëruese të teknologjisë bërthamore.Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer, tha se vendi i tij e mbështet fuqimisht traktatin dhe i këshilloi të gjithë vendet që ende nuk e kanë ratifikuar ta bëjnë sa më shpejt."Të gjithë shtetet që ende nuk kanë firmosur dueht ta bëjnë sa më shpejt. Mos presin që hapin e parë ta bëjnë të tjerët. Ky traktat do të jetë për të mirën e të gjithëve", tha Shtajnmajer.Deri tani traktatin e kanë ratifikuar 157 shtete, ndërsa vendet që ende nuk e kanë ratifikuar janë Shtetet e Bashkuara, Kina, Pakistani, Izraeli, Irani, Korea e Veriut dhe Egjipti.Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha se vendi i tij do të marrë pjesë në ndalimin e testeve bërthamore edhe pse Kongresi nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen."Edhe pse ende nuk e kemi ratifikuar marrëveshjen për arsye të pastra politike, ju siguroj që jemi zotuar ta zbatojmë dhe do ta bëjmë këtë", tha Kerry.Kritikët e traktatit në SHBA thonë që nëse vendi nuk kryen më teste, atëherë arsenali bërthamor mund të mos jetë më i besueshëm. Testi i fundit bërthamor i kryer nga SHBA ka ndodhur më shumë se dy dekada më parë.