Ligji për Policinë e Shtetit, beteja e radhës e PD me mazhorancën
PD ka gati kërkesën e radhës për betejën me mazhorancën në Gjykatën Kushtetuese. Demokratët do të kërkojnë shpalljen të papajtueshme me ligjin themeltar të shtetit, ligjin mbi Policinë e Shtetit, përkatësisht nenet që kanë të bëjnë me Byronë e Hetimit, pasi sipas tyre varësia drejt përdrejt nga kryeministri, e bën këtë strukturë tërësisht politike.“Varësia e drejtpërdrejtë e kësaj strukture hetimore dhe funksionimi i saj në varësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit dhe qeverisë së tij, e bën këtë strukturë tërësisht politik. Sipas këtij parashikimi është vullneti i qeverisë dhe jo vullneti i ligjit, që përcakton jo vetëm mjetet dhe metodat që përdorin punonjësit në gjurmimin dhe hetimin e një vepre penale, por edhe të objekteve dhe subjekteve që hetohen. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon qartë në nenin 148/1 të saj se është prokuroria që ka të drejtën ekskluzive të ndjekjes penale dhe përfaqësimit të saj në gjykatë.”Demokratët argumentojnë më tej se kjo strukturë mund të përdoret nga qeveria për të fabrikuar akuza për kundërshtarët dhe nga ana tjetër të fshijë korrupsionin qeveritar.“Byroja e Hetimit është një përpjekje për të ngritur një Byro Politike, ku nga njëra anë të fabrikohen akuza për kundërshtarët e Kryeministrit, përfshi institucionet e pavarura dhe nga ana tjetër të bëjë fshirjen dhe fshehjen e korrupsionit qeveritar”Kjo javë ka qenë aksion për PD, ku të hënë dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese 3 ligje që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me sistemin e drejtësisë, ndërkohë që po punon për të ankimuar edhe reformën territoriale, e cila prej muajsh mban ndezur zjarrin e debatit politik.