Veliaj për akuzat: Politike ose inate personale, po goditet sipërmarrja e ndershme

Akuza të nxitura politikisht ose nga inate personale. Kështu i ka cilësuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme ndaj tij, deputeti demokrat Astrit Veliaj.Në një lidhje telefonike për Ora News pas konferencës për mediat të organit të akuzës, ai tha se në 23 vite nuk ka cënuar asnjë cm pronë shtetërore dhe as private.“Po jam thirrur në Prokurori për këtë, akuzë e padrejtë e pabazuar në prova dhe dokumenta. Unë gjatë këtyre 23 viteve, në ndërtimin dhe themelimin e institucioneve me dobishmëri publike kam gjetur forcën dhe lirinë për të dhënë kontributin tim në zhvillimin e vendit.Akuza që më bëjnë janë fare të padrejta, ndaj një sipërmarrësi të ndershëm që për 23 vite i ka dhënë buxhetit të shtetit nuk e di sesa milionë euro. Janë akuza të paqenë të ngritura politikisht ose me inate personale që nuk e di se nga vinë.Por që nuk kanë asnjë bazë ligjore, asnjë document të vetëm për të ngritur një akuzë të tillë. Unë gjatë këtyre 23 viteve nuk kam cënuar asnjë cm pronë publike dhe as private të askujt. Kam respektuar çdo lloj kontrate gojore dhe të noterizuar”.Sipas deputetit Astrit Veliaj Prokuroria po godet sipërmarrësit e ndershëm.“Ky veprim është i nxitur, nuk e di se nga kush. Prokuroria godet sipërmarrësit e ndershëm dhe nuk merret me dosjet e krimit dhe korrupsionit që flenë aty me vite”.I pyetur për objektin në Fier për të cilin dhe akuzohet, Veliaj sqaroi se janë dy amnisti, njëra e një viti më parë e qeverisë Berisha dhe tjetra e qeverisë Rama, të cilat i kanë krijuar të gjitha hapësirat ligjore për ndërtimin e tij. Ai shtoi se për objektin në fjalë është në proces legalizimi.“Unë kam vepruar sipas të gjitha procedurave ligjore. Ka qenë një amnisti e bërë nga qeveria Berisha para një viti për legalizimet, është amnistia e qeverisë Rama që lejon legalizimin e atyre që ndërtojnë në tokat e tyre dhe nuk përbëjnë vepra penale.Dhe këto 2 legalizime kanë kapur këtë investim të Fierit. Nuk jam i akuzuar për asnjë lloj akuze në asnjë vend.Do vazhdoj të ndërtoj sa të kem mundësi shkolla të mira, godina prestigjioze për Shqipërinë. Askush nuk më ndalon dot që të investoj për zhvillimin e vendit. Jam njeri publik dhe do gjej të gjithë mundësitë për të dhënë kontributin tim”.