Paralajmërimi i OBSH-së për Ebolën: Mund të kthehet në katastrofë
Përhapja e virusit Ebola në Afrikën Perëndimore mund të zgjasë për vite me radhë dhe rreziku është që në pak javë numri i të infektuarave të shkojë deri në 20 000 vetë.Alarmin e jep Organizata Botërore e Shëndetësisë që nga Gjeneva. Ekspertët mendojnë se virusi do të vazhdojë të përhapet me shpejtësi të madhe nëse pacientët e infektuar nuk izolohen dhe të regjistrohen për kurim.Deri tani, sipas OBSH-së, numri i vdekjeve nga virusi ka qenë 2793 nga 5762 raste të evidentuara. Vendet më të prekura mendohet se janë Guinea, Sierra Leone dhe Liberia, kjo e fundit në shkallë më të madhe se të tjerat."Numri i të prekurve rritet me qindra individë në javë dhe për pak do të shkojë në mijëra individë, kështu që nëse nuk e ndalim shpejt epideminë, do të kthehet në një katastrofë totale", tha Doktor Kristofer Daj, drejtor strategjik në OBSH."I vetmi fakt që na jep pak shpresë është se kemi arritur të ndalojmë përhapjen e tij në një qytet si Lagosi, me 20 milionë banorë".Javën e kaluar, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, tha se me një buxhet prej 1 miliardë dollarësh do të krijohej një mision i veçantë për të luftuar përhapjen e sëmundjes në Afrikë dhe më gjerë.