Thaçi: Zgjedhjet e parakohshme në qershor ose korrik
Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ka paralajmëruar se zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni do të jenë në qershor apo korrik të këtij viti.“Mos i dëgjoni se çfarë ju thonë nga BDI, se nuk ka asgjë nga politika dhe se nga një gjë e tillë nuk ka gjë. Ky është një gabim i madh. Populli që nuk ka politikë të fuqishme, që nuk ka opozitë të fuqishme, rrënohet për disa dekada. Beteja jonë është që ti bindim me të gjitha mjetet që kemi në disponim se duhet të jetojmë sikur ata. Dua të ju bindi se në qershor apo në korrik do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, deklaroi Thaçi.Këtë deklaratë kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi e bëri gjatë vizitës së tij në Strugë dhe Llabunishtë, ku ka zhvilluar takime me përkrahësit e partisë së tij dhe zgjerimin e përkrahjes me anëtarë të rinj.“PDSH-ja është parti e vetme e shqiptarëve dhe ne jemi të interesuar që shqiptarët të jenë të barabartë me të tjerët në gjithë Maqedoninë e përbashkët, sepse në këtë Maqedoni që është shtëpi e përbashkët e jona, ata gëzojnë të gjitha e ne jemi në bodrume. Kjo më nuk do të ndodhë. Shqiptarët kontribuojnë me mbi një miliardë euro në buxhetin e Maqedonisë, e atyre ju kthehet vetëm një pjesë, që nuk mjafton për zhvillim të përgjithshëm”, deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, duke promovuar aderimin dhe bartësin e listës së PDSH-së në komunën e Strugës, Abdulla Qazimovski, profesor i teologjisë dhe imam në fshatin Llabunishtë, i cili deri tani ka qenë këshilltarë i DR-së në komunën e Strugës.“Nuk kam dashtë që përsëri të ngatërrohem në politikë, por më shtyu nevoja për të mbrojtur interesat e kësaj popullate të nëpërkëmbur. Marrëveshja me PDSH-në, konsiston në qëndrimet identike për avancimin e pozitës së shqiptarëve të kësaj ane. Me Ziadin Selën së pari do të ndalojmë veprimet kriminale dhe do të bëjmë çmos për gjëra të mira”, theksoi Qazimovski.Kandidati për kryetar komune nga radhët e PDSH-së, deputeti dr.Ziadin Sela ka përshëndetur përkrahjen e gjerë për PDSH-në dhe se ai theksoi se do të ketë ndër prioritetet zgjidhjen e problemit me nxënësit e shkollës me mësim në gjuhën shqipe në Podgorcë etj.