Kreu i myslimanëve të Bosnjës apel ISIS-is: Lironi britanikun

Kreu i Bashkësisë Islame të Bosnjës ka apeluar “shtetin islamik” që të lirojë punonjësin e bamirësisë, David Haines, i cili u rrëmbye marsin e 2013-tës në një kamp në Siri.Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, autoriteti më i lartë i myslimanëve në Bosnjë e Hercegovinë, Husein Kavazoviç reisu-l-ulema, apelon rrëmbyesit ta rikthejnë pa kushte britanikun në shtëpinë e tij.“Pasi mësova se jeta e humanistit David Haines, një qytetar i Britanisë së Madhe, është në rrezik, unë apeloj te ata që e kanë zënë peng që ta lirojnë pa kushte që ai t`i bashkohet familjes së tij. islami na mëson ne se jeta e njeriut është e shenjtë. David Haines është një njeri i cili pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar duke ndihmuar njerëzit në nevojë në gjithë botën.Ai ka punuar shumë për të ndihmuar refugjatët myslimanë dhe të kthyerit në Bosnjë e Hercegovinë gjatë dhe pas luftës së viteve 1992-1995. Myslimanët në Bosnjë u janë mirënjohës të gjithë njerëzve që i kanë ndihmuar në atë kohë të vështirë dhe David Haines ka qenë njëri ndër miqtë e tyre të sinqertë”.Kreu i Bashkësisë islame në Bosnje-Hercegovinë thekson se lirimi i Haines është i vetmi akt i arsyeshëm, pasi eleminimi i tij nuk do të ndihmojë pengmarrësit të fitojnë luftën kundër armiqve të tyre. Kreu i myslimanëve i kujton IS se vrasja e një personi të pafajshëm është e barabartë me vrasjen e gjithë njerëzimit.“Lirimi i punëtorit humanitar të arrestuar është akti i vetëm racional, moral dhe fetarisht i arsyeshëm, pasi që jeta dhe pozita aktuale e tij nuk do t`i ndihmojë rrëmbyesit e tij për të zgjidhur problemet e tyre ose të fitojnë luftën kundër armiqve të tyre. Do të ndodhë e kundërta, duke liruar atë, ata do të tregojnë natyrën e tyre humane dhe virtytet e tyre.Duke qenë viktima të padrejtësive dhe vrasjeve, myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës e ndjejnë se është detyrim i tyre moral dhe fetar të shprehin shqetësimin e tyre serioz kur njerëz të pafajshëm vriten ose torturohen. Për këtë arsye dhe në frymën paqësore të islamit, unë apeloj për lirimin e punëtorit humanitar britanik të arrestuar sepse vrasja e një personi të pafajshëm është e barabartë me vrasjen e gjithë njerëzimit, thuhet në fund të komunikatës.