Kush është Ardian Fullani?
Ardian Fullani është një nga zyrtarët e lartë me karrierën më të gjatë në poste të rëndësishme publike në Shqipëri.I diplomuar në Fakultetin Ekonomik dhe atë të Drejtësisë, karriera e tij në sistemin bankar do të niste në vitin 1985 kur emërohet zëvendësdrejtor i Departamentit të Jashtëm në Bankën e Shtetit Shqiptar.Më vonë përgjatë periudhës 1990-1992 të njëjtin post Fullani e ka mbajtur në Bankën Tregtare Shqiptare. Në vitin 1992, pas riorganizimit të sistemit bankar, Ardian Fullani, qëndron sërish në postet të rëndësishme në sistemin financiar duke u emëruar për një vit zëvendësguvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe më pas Drejtor i Departamentit të Jashtëm të saj.Ardian Fullani u bë pjesë e Bankës së Shqipërisë që prej krijimit të saj në vitin 1992, në funksionin e Zëvendësguvernatorit e më pas në periudhën 1993-1996, si Drejtor i Departamentit të Jashtëm.Gjatë aktivitetit në këtë sektor, ai ka dhënë kontributin e tij me vlerë në krijimin e një Banke Qendrore Moderne në Shqipëri, për përgatitjen e kuadrit të saj rregullator, kryesisht lidhur me funksionimin e tregut të këmbimeve valutore, me politikat për administrimin e rezervave valutore, si dhe për hartimin dhe bashkërendimin e strategjive të Bankës së Shqipërisë për ndërmjetësimin dhe bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me Bankën Botërore, me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe me institucione të tjera financiare ndërkombëtare.Gjatë viteve 1996-1997, përvoja e Fullani shtrihet edhe në fushën e konsulencës për projekte zhvillimi kombëtare e ndërkombëtare, ku mund të përmenden projektet gjermano-shqiptare për financimin e biznesit të vogël dhe të mesëm në bujqësi dhe në agroindustri, për ristrukturimin dhe institucionalizimin e tregut të këmbimeve valutore si dhe analizën dhe zhvillimin e tregut të kapitaleve në Shqipëri.Eksperienca me Bankën Italo-Shqiptare i përket periudhës 1997-2004, fillimisht si Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Departamentit Financiar e më vonë si Drejtor i Përgjithshëm i Bankës (2000-2004).Pikerisht, në 2004 , karriera e Fullanit do të arrinte majat, kur Parlamenti, në atë kohë me maxhorancë socialiste e emëroi si Guvernator të Bankës së Shqipërisë. Një mandat që Fullani e kreu të plotë për 7 vjet.E madje në vitin 2011, do të rizgjidhej edhe për një tjetër mandat 7 vjeçar në krye të bankës, këtë herë nga maxhoranca e djathtë duke u bërë kështu zyrtari i vetëm në nivele kaq të larta që i mbijetoi rrotacionit politik. Në të gjitha institucionet e tjera të pavarura, demokratët nuk kishin rikonfirmuar asnjë nga drejtuesit e emëruar para vitit 2005 nga ish maxhoranca socialiste.Gjithashtu, Fullani ka punuar si koordinator i një sërë projektesh të investimeve nga financimet e huaja .Libri i tij "Rritja ekonomike në Shqipëri dhe Evropën Juglindore: rruga drejt së ardhmes" (Growth in Albania and South East Europe: The Way Ahead) është botuar së fundmi nga Qendra për Studime të Evropës Juglindore të Universitetit të Oksfordit (SEESOX).Gjithashtu, Fullani është autor i shumë artikujve dhe punimeve shkencore rreth çështjeve ekonomike dhe financiare. Ai është bashkautor i një studimi mbi rreziqet dhe pasojat e zyrtarizimit, ristrukturimit dhe transformimit të skemave piramidale në Shqipëri.Ai është njohës shumë i mirë i tre gjuhëve të huaja: anglisht, italisht dhe gjermanisht.Guvernatori Fullani mban titullin "Commendatore dell'Ordine della Stella della solidarietà italiana/ Urdhri i Yllit të solidaritetit italian", i akorduar nga Presidenti i Republikës së Italisë.Në mbështetje të nenit 53 të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997, "Për Bankën e Shqipërisë", Guvernatori vepron si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës së Shqipërisë, i ngarkuar për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të saj dhe si Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.Ai përgjigjet përpara Këshillit Mbikëqyrës për zbatimin e vendimeve të miratuara, duke përfshirë zbatimin e politikës monetare, të kreditit dhe të këmbimeve valutore, si dhe për drejtimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen mbi administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë. Në veçanti, i njihen kompetencat për të kryer veprimet e kërkuara ose të gjykuara si të pranueshme prej tij për administrimin ose për operacionet e Bankës së Shqipërisë.Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.