Rama për Greqinë: 'Territori' na përket ne, 'Deti” kërkon zgjidhje

Përkundër rezervave të Athinë zyrtare dhe homologurt të tij grek për reformën territoriale, shefi i qeverisë shqiptare i qëndron faktit se kjo mbetet një çështje e brendshme e Shqipërisë. Duke folur për gazetarët në Wales, Rama tha se reforma është një vendim në frymën e interesit kombëtar dhe në frymën e mbrojtjes pa asnjë ngurim të minoriteteve.“Ndarja territoriale administrative është një atribut i organeve vendimarrëse të Shqipërisë. Dhe organet vendimarrëse, qeveria pastaj kuvendi kanë marrë një vendim në frymën e interesit kombëtar dhe në frymën e mbrojtjes pa asnjë ngurim të minoriteteve, lirive dhe të drejtave të tyre. Kështu që për ne nuk ka një çështje të tillë.Absolutisht për ne është e domosdoshme që të shkojmë përpara me këtë reformë nga e cila përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptar, qofshin ata me kombësi shqiptare apo greke”.Lidhur me takimin me homologun Samaras, Rama nuk zbuloi qëndrimin e palës greke për marrëveshjen detare, por nënvizoi se çështja duhet zgjidhur një orë e më parë pasi nuk ka kthim pas. Kryeministri tha se duhet një zgjidhje e qëndrueshme, e pranuar nga të dy palët. Rama zbuloi edhe ftesën që i kishte bërë homologut grek për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila ishte pranuar nga Samaras.“Ne kemi një pozicion shumë të qartë për këtë , dialog- dialog- dialog, barazi-barazi-barazi dhe vullnet-vullnet-vullnet për të gjetur zgjidhjen një orë e më parë të një çështje ku nuk mund të kthehemi pas por duhet të shkojmë përpara. Na duhet një zgjidhje e qëndrueshme dhe e pranuar plotësisht nga të dy palët, çka është besoj unë qasja e palës greke. Dhe besoj po ashtu që është në dorën tonë, që siç kemi bërë progres për disa nga çështjet të bëjmë progres dhe këtë çështje, duke mos harruar të vazhdojmë të kërkojmë heqjen e ligjit absurd të luftës mes të dy vendeve. Me kryeministrin Samaras kemi një dialog jashtëzakonisht konstruktiv, të hapur, miqësor. I kam bërë ftesë të vizitojë Shqipërinë, e ka pritur ftesën me kënaqësi. Dhe nga ana tjetër besoj dhe besojmë që çështjet mes nesh janë një arsye më shumë për të kuptuar që jemi fqinjë që ndajmë murin e oborrit dhe e kemi të domosdoshme të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, aq më tepër kur na duhet të forcojmë si me Greqinë, si me Italinë, Turqinë si dhe gjithë vendet që kanë një ipakt në rrjedhët e krimit të organizuar, bashkëpunimin”.Më tej Kryeministri theksoi nevojën e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në luftën kundër terrorizmit. Rama foli dhe per deklaratën e përbashkët të vendeve të NATO-s për mosprekjen e buxhetit të mbrojtjes dhe mundesite qe ka vendi yne per te permbushur kete angazhim në kushtet e një situate të vështirë financiare.“Duke e vënë theksin tek shkëmbimi i informacionit dhe tek bashkërendimi i forcave mes policive dhe inteligjencës së vendeve që përmenda. Kam theksuar në Samit dhe domosdoshmërinë që të mbështetemi si Shqipëri dhe rajon në rritjen e kapaciteteteve njerëzore dhe teknike të inteligjencës si një domosdoshmëri në këtë betejë me një forcë të egër , barbare, vrastare dhe jo plotësisht të njohur të fytyrës së re të terrorizmit në emrin e Kalifatit, apo si quhet.Deklarata është një shprehje e vullnetit të mirë, nuk është një posulatë apo një fjali e shkruar në ndonjë libër të shenjtë dhe ne do të angazhohemi plotësisht siç jemi angazhuar. Më lejoni ta them se jemi përmendur, jemi përgëzuar dhe jemi parë me shumë respekt për atë që po bëjmë në frontin e ri ku jemi bashkuar me SHBA, Gjermaninë dhe një sërë vendesh të tjera për të qenë pjesmarrës aktivë në një betejë në dukje larg, por në fakt është një betejë që zhvillohet brenda shtëpive tona, sepse kjo formë e re agresioni ndaj botës dhe ndaj familjes së vendeve të lira demokratike është një formë që nuk njeh kufinj dhe mund të shfaqë brutalitetin e vet sa hap e mbyll sytë kudo ku ne jetojmë”.