Vjedhja në BSH, merren dëshmitë e 2 këshilltareve, Meksi: S'mund të flas
Tiranë – Dy anëtare të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë kanë dëshmuar sot në Prokurori lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Banka. Gjithashtu, po sot ka dhënë dëshminë e saj edhe Ish- Inspektorja e Përgjithshme e Bankës, Teuta Baleta, e cila ka hyrë e para.Pasi doli nga Prokuroria, Meksi tha për mediat: "Iu përgjigja një ftese të Prokurorisë për bashkëpunim në këtë çështje dhe në respekt të hetimit, kërkoj mirëkuptimin tuaj. Më shumë se kaq nuk mund t’ju them."Ndërsa, kolegia e saj, Ela Golemi, që hyri pas saj, tha në dalje, pas një ore, se dëshmoi për aq sa kishte dijeni.Pyetjet e Prokurorisë kanë pasur në fokus, detyrimet dhe përgjegjësitë ligjore të Këshillit Mbikqyrës lidhur me sigurinë që ofron Banka e shtetit shqiptar.Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi qenë dy të parat ndër shtatë anëtarët që përbëjnë Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që u thirren në cilësinë e personave që kanë dijeni.Burime për “Ora News” bënë të ditur se për gurvernatorin Ardian Fullani mësohet se nuk ka ende një fletëthirrje, pasi është vendosur që të pyetet në një moment të dytë, sëbashku me Inspektoren e Përgjithshme të Bankës, Elivar Gjoni. Më 8 shtator do të merren në pyetje, 4 anëtarët e tjerë të Këshillit.Këshilli Mbikqyrës i Bankës së shtetit shqiptar përbëhet nga: Ardian Fullani, Kryetar; Elizabeta Gjoni, Zëvendëskryetare dhe anëtarët: Adrian Civici, Dhori Kule, Ela Golemi, Ermelinda Meksi dhe Petraq Milo.Vjedhja në Bankën e Shqipërisë e 713 milionë lekëve u zbulua në korrik të këtij viti dhe për të u arrestuan dy punonjës të saj, Ardian Bitraj dhe Mimoza Brozia. Me shtrirjen e hetimeve, u arrestuan dhe 10 persona të tjerë, 9 prej të cilëve punonjës në këtë institucion, pasi ata dyshohen se me mosveprimet e tyre kanë ndikuar në realizimin e grabitjes dhe në zgjatjen e saj në kohë.
(Në foto: Ela Golemi sot në Prokurori duke pritur për tu marrë në pyetje)ar.sh/Oranews.tv