"Ebola", situata mund të përkeqësohet
Situata nga virusi Ebola pritet të përkeqësohet në vend që të përmirësohet. Kështu nënvizohet në një raport të Shëndetit publik të Shteteve të Bashkuara, për Afrikën Perëndimore. Tom Frieden, drejtori i Qëndrës për kontrollin e sëmundjeve, tha se kjo epidemi kërkon një përgjigje të paprecedentë, për ta vënë nën kontroll. Ministrat e Shëndetësisë përqark Afrikës Perëndimore do të takohen në Gana për të diskutuar rreth kësaj krize që gjithnjë e më shumë po merr përmasa të frikshme. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri më tani nga virusi i Ebolas kanë humbur jetën 1427 persona.Ndërsa me virusin vdekje-prurës rezultojnë të prekur edhe 2615 persona të tjerë. Liberia është vendi më i prekur nga kjo sëmundje, me 624 viktima dhe me 1082 raste që nga fillimi i vitit. Frieden zhvilloi një takim edhe me presidenten e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf për të diskutuar mënyrat për të luftuar sëmundjen. Ata pranuan se rastet po rriten ndërsa theksuan se situata po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Përveç tragjedisë në njerëz, virusi Ebola ka shkaktuar dëme marramendëse edhe në ekonomi, pas bizneset e huaja që investojnë në rajonin e Afrikës perëndimore janë tërhequr.