Vlorë, hidhet në erë automjeti, humb jetën drejtuesi, plagoset pasagjerja dhe një kalimtar

Qyteti i Vlorës është zgjuar mëngjesin e sotëm nga një shpërthim i fuqishëm tritoli. Një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi i një automjeti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 07:15 në rrugën transballkanike Vlorë-Skelë, pranë sheshit “Omonia” ku një automjet ‘Mitsubishi’ i bardhë, fuoristradë, me targa AA 848 XJ në të cilin udhëtonin dy persona ka shpërthyer në flakë. E gjithë skena e rëndë ka ndodhur ndërsa mjeti ka qenë në lëvizje. Shpërthimi ka qenë i fortë dhe si pasojë e tij ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i mjetit, që dyshohet se është një mashkull. Viktima është gjetur i pajetë, totalisht i shkrumbuar në derën e parme të mjetit.Ndërkohë forca e shpërthimit, duket se ka nxjerrë jashtë pasagjeren, Ornela Gjini 19-vjeç, e cila është marrë nga kalimtarë të rastit dhe është transportuar me urgjencë në gjendje të rëndë drejt spitalit të traumës në kryeqytet. I plagosur nga ngjarja ka mbetur edhe një kalimtar i rastit, i cili është transportuar drejt spitalit për marrjen e ndihmës mjekësore.