Mustafa: Nuk lëshojmë pe. Ne shumica, ose shkojmë në zgjedhje

Prishtinë- Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se ngërçi politik i krijuar duhet të zgjidhet në Kuvend, me votë të deputetëve. Në një intervistë për “Epokën e re”, Mustafa ka vlerësuar se Qeveria gjithëpërfshirëse nuk e ka asnjë kuptim, as demokratik, as racional.Ai ka thënë se koalicioni LDK-AAK-Nisma është i vendosur për ta çuar projektin deri në fund, duke përjashtuar çdo mundësi të një koalicioni me PDK-në.“Jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje të reja, por nuk jemi të gatshëm të lëshojmë pe nga projekti ynë”, është shprehur Mustafa, duke shtuar se vullneti i popullit nuk mund të përkufizohet me 30% të votave, por me shumicën.Ai ka bërë me dije se e kanë përkrahjen e pakicave dhe presin prapë votat e tyre në Kuvend dhe për Qeverinë. Mustafa ka thënë se PDK-ja do ta propozojë e para kandidatin për kryeparlamentar, por nëse nuk arrin ta marrë shumicën, sipas tij, do të gjenden hapësira kushtetuese që blloku që ka shumicën ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit.Isa Mustafa në këtë intervistë ka folur edhe për zgjedhjet e brendshme në LDK, për të cilat ka thënë se do të mbahen në këtë vjeshtë. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që përsëri të garojë për të parin e LDK-së.“Zgjedhjet në LDK do të mbahen këtë vjeshtë. Nuk kemi diskutuar për kandidat për kryetar, por në parim kandidati për kryetar do të dalë si shprehje e përkrahjes së shumicës së degëve dhe të anëtarësisë. Unë do ta respektoj këtë plotësisht. Personalisht preferoj të ketë më shumë kandidatë dhe konkurrencë më të madhe”, ka thënë Mustafa.Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter