Të arrestuarit për Bankën fajësojnë shefat: Kasaforta u vendos pas vjedhjes
Tiranë - Petrit Ramohitaj, një nga 10 të akuzuarit për vjedhjen e 713 milionë lekëve në thesar i ka lënë “topin” në derë, ish-Shefit të tij Dorian Çollakut dhe kupolës drejtuese të BSH-së, për atë që ndodhi në arkën ku ai ishte përgjegjës.Gjatë seancës për rivlersimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit, i pandehuri Ramohitaj ka deklaruar se në Departamentin e Emisionit nuk ka pasur një rregullore për sigurinë dhe asnjë kasafortë ku të mbaheshin çelësat e parave.Ramohitaj ka deklaruar se “Urdhëri i Bankës së Shqipërisë për rregulloren në Departamentin e Emisionit nuk mund të zbatohej. Në këtë departament nuk kemi patur logjistikë ku të vendosim tre çelësat , pra nuk kemi pasur kasafortë sigurie. Udhëzimi i Bankës për sigurinë e dhomave ku mbaheshin paratë, ishte i pazbatueshëm në kushtet ku punonim dhe për tepër, nuk na ishte komunikuar asnjëherë. Kasaforta për çelësat dhe rregullorja e sigurisë, - ka nënvizuar ai, - u vendosën pas vjedhjes.”Në të njëjtën linjë ka qënë edhe I arrestuari tjetër por me të njëjtën akuzë Bashkim Xhilaga.“S'kemi pasur asnjë udhëzim për mënyrën e punës, - është shprehur Xhilaga. - Unë mbaja çelësat duplikatë dhe jo ata me të cilët janë vjedhur paratë.”Ish- Shefi I Ramohitajt dhe Xhilagës, Drejtori i Deprtamentit të Emisionit, Dorian Çollaku, i ka qëndruar fort mbrojtjes së tij se nuk është përgjegjës për vjedhjen. "Nuk ekziston asnjë fakt që të vërtetojë që me veprimet dhe mosveprimet e mia, - ka thënë Çollaku, - unë të kem marrë pjesë në vjedhje dhe për më tepër të kem përfituar nga e gjithë kjo histori."Edhe avokatët mbrojtës kanë mbështetur pretendimin e pafajësisë së Çollakut, por Prokuroria ka pretenduar të kundërtën. Prokuroria gjykon se "nën drejtimin e të dyshuarit Çollaku është bërë vjedhja. Nuk kanë patur asnjë rregullore per funksionimin e punes pasi ai duhet ta nxirrte. Duhet të nxirrte akte normative për funksionomin e Departamentit të Emisionit."Pasi ka dëgjuar të gjitha palët, Gjykata në fund i ka dhënë të drejtë organit të akuzës duke mbajtur në burg 8 të pandehurit që kishin kërkuar rishikim të masës. Ndërsa personazhet kryesorë të hetimit për vjedhjen spektakolare, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, nuk janë lodhur fare të apelojnë, duke u pajtuar me qëndrimin në qeli.Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter