Ministria e Industrisë: Pikëllim për humbjen e 2 jetëve, masa më të ashpra sigurisë në punë

Tiranë - Ministria e Energjisë dhe Industrisë i ka shprehur ngushëllime, familjeve të dy minatorëve që humbën jetën sot në minierën e kromit në Martanesh e njëhërësh garanton se është duke marrë masa të rrepta në vazhdimësi, për të pezulluar dhe hequr leje minerare që nuk përmbushin detyrimet ligjore.Në deklaratën e kësaj ministrie thuhet: “Shprehim pikëllim për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në minierën e kromit në Fushë Lopë të Martaneshit, ku humbën jetën dy minatorë.Ministria gjen rastin tu shprehë ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe të afërmëve të tyre për këtë ngjarje tragjike.Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se me të marrë njoftim, drejt vendit të ngjarjes janë nisur grupet e posaçme të Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave ndërsa paralelisht, grupet e tjera të ndihmës që ndodheshin në zonë kanë ndërhyrë për të bërë të mundur nxjerrjen e trupave të dy viktimave.Ngjarja ka ndodhur në minierën e kromit, në galerinë nr.7 të objektit Fushë Lopë, ku operon subjekti “Alba-Co”, me lejen nr.548, datë 06.04.2000. Pas nxjerrjes së viktimave nga galeritë, drejtuesit e Repartit të Inspektim, Shpëtim - Minierave po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe mënyrën se si ka ndodhur ngjarja.Ministria e Energjisë dhe Industrisë garanton opinionin publik për vendosmërinë e saj për të monitoruar rreptësisht përmbushjen e kritereve të sigurisë në punë nga ana e subjekteve të licencuara në fushën minerare.Nga kontrollet e ushtruara deri më sot, - theksohet në fund të deklaratës, - janë pezulluar dhe revokuar mbi 160 leje minerare për të cilat është konstatuar mospërmbushje e detyrimeve ligjore. Edhe në vijim, Ministria garanton opinionin publik se do të vazhdojë inspektimin në të gjitha zonat minerare me qëllim përmirësimin e kushteve të punës për minatorët.” ar.sh/Oranews.tv