Vllaznia e femrave eleminohet nga Championsi, Presidenti bën skandal
Vllaznia e femrave nuk arrin të kualifikohet në fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve. Vajzat shkodrane kanë dështuar në ndeshjen e tretë dhe të fundit të grupit teksa janë mundur 5-0 nga ekipi vendës i Lituanisë, Gintra Universitetas në turin eliminator.
Përballja me Gintran ishte në një ditë aspak të mirë për kampionet shqiptare, pasi kjo ndeshje ka pasur edhe një episod mjaft të shëmtuar. Dalja me karton të kuq e futbollites Begolli për Vllazninë në minutën e 20-të irritoi së tepërmi stolin e skuadrës kuqeblu.
Presidenti i ekipit, Lazër Matija nuk është përmbajtur aspak dhe fillimisht në shenjë proteste, futet në fushën e lojës dhe godet me shumë forcë topin. Arbitrja armene i bën me shenjë që të dalë nga fusha e lojës, por ai shkon më tej teksa pështyn kryesoren.
Arbitrja tashmë nuk përmbahet dhe nxjerr kartonin e kuq për presidentin duke e dërguar jashtë pankinës. Matija nuk humb shumë kohë dhe përfundon në shkallët e stadiumit të boshatisur pak metra mbi pankinën e Vllaznisë duke e parë nga aty pjesën tjetër të lojës. Tashmë pas kësaj ngjarjeje për Vllazninë, UEFA ndoshta mund të marrë ndonjë masë ndëshkuese që natyrisht mund të dëmtojë skuadrën shkodrane.
Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter