Rrëzimi i avionit MH17, video tregon rebelët që vjedhin sendet personale të viktimave
Mediat por kryesisht rrjetet sociale kanë mbetur peng i videove dhe fotove që publikohen minutë pas minute nga tragjedia e rrëzimit të avionit MH17. Një ditë më parë rrjeti britanik BBC, publikoi video të rebelëve pro-rusë, që menjëherë pas rrëzimit të avionit, janë afruar në rrënojat e tij të parët, pa mbërritur ende në vendngjarje policia apo forcat zjarrëfikëse.Ata kanë kontrolluar çantat, valixhet, rrobat, qeset, gjithcka të mbetur nga avioni por kjo foto që qarkullon sot në rrjetet sociale shfaq më së miri edhe qëndrimin e rebelëve në këtë histori.
Në këtë foto, duket qartë një nga separatistët pro-rusë, që i heq unazën nga dora njërës prej viktimave dhe e vendos në gishtin e tij. Ndonëse fotoja nuk është shumë e pastër dhe personi ende nuk është identifikuar, shfaqet një rebel i veshur me uniform ushtarake i cili rrëmon në sendet personale të viktimave dhe merr gjithcka gjen, kryesisht sende me vlerë.Fotoja fillimisht është postuar në rrjetin social "Twitter" nga një gazetar rus dhe është shpërndarë kudo në botë, duke e cilësuar këtë gjest, një akt jashtë kufirit të natyrës njerëzore. Kjo foto publikohet vetëm pak orë pas publikimit të videos që qartazi shfaq rebelët teksa hapin e kontrollojnë gjithcka ka mbetur pas rrëzimit të avionit.Lideri i rebelëve pro-rusë, i identifikuar vetëm me pseudonimin "Zhuk" është përpjekur të justifikojë veprimet e ushtarëve të tij, duke theksuar se kanë kontrolluar cantat e valixhet vetëm për të identifikuar viktimat, për të gjetur dokumentet e tyre. madje orët e fundit, mediat kanë publikuar fakte të reja, sipas të cilave, militantët pro-rusë kanë zhvendosur trupat e viktimave nga vendi i ngjarjes, duke i zvarritur ato drejt fushës së Grabovos, në Donjetsk. Për këtë ngjarje, ka nisur edhe një hetim ndërkombëtar. Nga 298 viktima, deri më tani autoritetet zyrtare kanë arritur të gjejnë 282 trupa, gati 20 prej tyre krejt të djegur.