PD: Në kulmin e sezonit turistik, qeveria mbush plazhet me mbeturina

Për PD moslargimi i mbetjeve inerte pas aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare është papërgjegjshmëri e qeverisë. Nga Dhërmiu kordinatori për ndihmë ligjore dhe denoncimet Ervin Salianji tha se institucionet qeveritare kanë sjellë një situatë të papranueshme.“Jemi në pikun e sezonit turistik dhe realiteti në një nga plazhet më të bukura të jugut, siç është plazhi i Dhërmiut, është ky që shohim pas. Ky realitet, kjo shëmti urbane, ky grumbull inertesh, ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së qeverisë. Ka ardhur si pasojë e papërgjegjshmërisë dhe arrogancës së qeverisë”, tha Salianji.Përpara një grumbulli mbeturinash Salianji tha se qeveria e ka detyrim pastrimin e zonave, ndërsa i kujtoi kësaj të fundit se punët e realizuara prej saj gjenden vetën ë Facebook.“Qeveria e ka detyrim ligjor pastrimin dhe rehabilitimin e zonës pas çdo ndërhyrje. Por me ç’duket punët e qeverisë shkojnë mirë vetëm në ekrane dhe në facebook-un e kryeministrit. Ndërkohë që në realitet punët në Shqipëri janë si ky grumbull mbeturinash që ndodhet këtu pas meje”, u shpreh Salianji.Koordinatori i PD-së foli me banorë dhe pushues të zonës në lidhje me këtë situatë të cilët kërkuan që qeveria t’i japë sa më shpejt zgjidhje këtij problemi që po prek turizmin në këtë zonë të jugut të vendit.