Përfundon protesta në Maqedoni, shqiptarët do të nisin sërish të premten

Maqedoni- Ka përfunduar zyrtarisht protesta e shqiptarëve të Maqedonisë kundër dënimit me burgim të 6 shqiptarëve për rastin “Monstra”.Mijëra qytetarë u tubuan në rrugët e Shkupit. Me flamuj kombëtar në duar, protestuesit u nisën nga xhamia “Jahja Pasha” duke mbërritur në Bit Pazar, ku u përballën me kordonin e mbyllur të policisë në hapësirën para qendrës tregtare “Mavrovka”.“Gruevski, e keqja fshihet në mozaik”, “UÇK, jo BDI, UÇK me popullin”, “Monstra, Brodeci, Harun Aliu”, ishin disa nga thirrjet e protestuesve.Pas orës 15:00, shumica e protestuesve u shpërndanë pas thirrjes së organizatorit të protestës, ndërsa një numër i vogël vijuan të qëndrojnë përballë kordonit policor në Bit Pazar.Organizatori ftoi turmën që të vijnë të premten e ardhshme dhe të shprehin zemërimin e tyre në mënyrë paqësore.Ndërkaq aktivistë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, të organizuar për t’iu bashkuar protestave në Shkup janë kthyer mbrapsht në kufi nga policia maqedonase.Përkundër kësaj dhjetra qytetarë janë solidarizuar me protestat e Shkupit, duke protestuar përpara Piramidës në Tiranë.Ndërkohë, për sot ka qenë i paralajmëruar një tubim edhe nga vetë maqedonasit, të cilët kundërshtojnë protestat e shqiptarëve.Por manifestimi i tyre është anuluar dhe ka gjasa që të zhvillohet paraditen e së shtunës.