Kuvend, sherr për vrasjen e biznesmenëve,Tahiri: Disa, të ngritur me para krimi

Tiranë- Mazhoranca dhe opozita në seancën parlamentare janë përfshirë në debat mbi sigurinë dhe rendin në vend.Teksa u diskutua ligji për armët, opozita tha se rendi ka rënë në tokë, ndërkohë që në 300 ditë qeveria vetëm mashtron.Sipas deputetit demokrat, Eduart Halimi, në pak muaj janë 13 biznesmenë të vrarë, ndërkohë që nuk ka asnjë vrasës të arrestuar.“13 biznesmenë janë ekzekutuar vetëm këto 6 muaj, kur Kryeministri thotë se janë trafikantë, pastrojnë paranë, mirë tu bëhet, lajnë hesapet. Në fakt kështu nuk flet një Kryeministër i përgjegjshëm, kështu flet krimi, kështu flasin bandat që duan të mbyllin dosjet. Qeveria nuk flet kështu. Kështu flasin delerantët, udhëheqësit komunistë, por qeveritarët e përgjegjshëm në një vend demokratik nuk flasin kështu”deklaroi Halimi.Mbi këtë deklaratë ka reaguar Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, ku tha se personat për të cilët flet opozita nuk janë biznesmenë, por njerëz të ngritur me para të krimit. Kjo deklaratë e Ministrit nuk kaloi pa reagimin e opozitës.“Bëni gabim kur numëroni 13 biznesmënë të vrarë, nuk janë 13 biznesmenë. Përcaktoni mirë çfarë është biznesmen në këtë vend. E një kriminel që ka vrarë njerëz, ka hyrë në burg, ka dalë nga burgu dhe nëpërmjet aktivitetit kriminal shkon të vidhte dhe krom atje. Dhe ju e quani biznesmen në Parlament, kujt po ja thoni këtë? Dhe nëpërmjet aktivitetit kriminal të krijosh të ardhura që pastaj të ndërtosh ndonjë pallat apo të shkosh të bësh ndonjë biznes tjetër dhe ky është biznesmen? E keni gabim. Biznesmenët në këtë vend janë njerëzit e ndershëm që respektojnë shtetin dhe bashkë me shoqërinë mundohen të krijojnë më shumë siguri” tha Tahiri.“ Ti je një mostër e përdorimit të gjuhës makabre në këtë parlament. Si guxon një njeri që ka vdekur ti vësh epitete kush është kriminel dhe kush jo. Nuk e përcakton ti mor zotëri kush është krimineli në këtë vend, e përcakton gjykata, prokuroria, pasi ata bëjnë dënimet janë po njësoj njerëz të lirë. Çfarë lloj njeriu je ti që pasi vdesin njerëzit u vë dhe epitete. Je ti Ministër që del me ato maskat nga pas thjesh për të bërë show dhe mu në mes të konferencës së shtypit të vrasin tjetrin 100 m larg Parlamentit dhe Kryeministrisë, 200 m larg Ministrisë tënde. Dhe e di pse? Sepse ti je i paaftë” tha Doda.Pjesë e debatit është bërë dhe kryeministri Edi Rama, ku teksa i cilësoi të paralajmëruara vrasjet e biznesmenëve, ai tha se ato janë rezultat i një sistemi drejtësie terësisht të kalbur.“ Ajo çka tha Ministri i Brendshëm nuk ishte një përpjekje për të kufizuar statusin e të vdekurve, por ishte një përpjekje për të ftuar opozitën në një reflketim shumë serioz lidhur me vrasje të paralajmëruara. Shumë prej kronikave të këtyre vrasjeve janë kronika vrasjesh të paralajmëruara si rezultat i një sistemi drejtësie të kalbur” theksoi Rama.Duke përmendur vrasjen e biznesmenit Artan Santo, Rama theksoi se opozita kërkon që vrasësit e tij të zbulohen në sekondë, ndërkohë që vetë nuk kanë arritur ende të zbulojnë vrasësit e deputetit Fatmir Xhindi.