Apeli i Nishanit: Politika të shtrijë dorën e bashkëpunimit
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka shfrytëzuar darkën e iftarit në nder të besimtarëve myslimanë për të lëshuar edhe njëherë apelin e bashkëpunimit për klasën politikë.Fill pas letrës që mori nga kreu i Komisionit Europian, José Manuel Barroso, i cili i kërkonte Presidentit të ishte arbitër i konsensusit opozitë-qeveri, kreu i shtetit Bujar Nishani përçoi mesazhin e shtrirjes së dorës së bashkëpunimit.“Le të shërbejë ky Muaj për të gjithë ne, si mesazh i qartë, se bashkërisht duhet të investojmë për t’i afruar më shumë zemrat tona, për t’i unifikuar më tepër shqetësimet, për ta zgjatur edhe më shumë dorën e bashkëpunimit”.Presidenti i Republikës shtroi një iftar me rastin e muajit të madhërishëm të Ramazanit ku çmoi dhe njëherë vlerën e tolerancës fetare në Shqipëri.“Harmonia fetare shqiptare, kjo kryevlerë njerëzore s’është aspak mit, siç pretendojnë disa. Ndonëse për të është folur me tepri e do flitet ende shumë edhe në të ardhmen, ajo qëndron në konstuticionin e kombit tonë si ADN-ja e trupit të njeriut. Ajo është një trashëgimi gjenetike e traditës sonë më themelore, porsi një bukuroshe e fjetur ka nevojë për kujdesin tonë për ta zgjuar, për ta ngritur në lartësitë, ku cdo shqiptar ta njohë e të pyesë: Si do të ishte fati ynë kombëtar pa këtë respekt reciprok ndërfetar, ku do të humbisnim në udhëkryqet e luftrave, pa këtë semafor njerëzor me vete? “.Nishani tha më tej se muaji i Ramazanit është një muaj i bekuar i sakrificës njerëzore.B. Kuçana/Oranews.tv