Edi Rama mos e festo datëlindjen!

1./Lucky big boyAshtu si John Adams një nga delegatët e 13 kolonive të Amerikës që shpallën pavarësinë e Shteteve të Bashkuara më 1776-ën, edhe një dentiste e re shqiptare me emrin Aneta Rama në Tiranën e 1964-ës, nga gëzimi bëri një gabim në llogaritje. Politikani amerikan i shkruante letër gruas se 2 korriku ishte dita zyrtare e vendit të tij dhe u gabua, u gabua edhe bukuroshja Anetë kur i pati premtuar të shoqit, artistit Kristaq Rama se parandjente lindjen e fëmijës së tyre të parë po më 2 korrik. Pavarësia amerikane prej britanikëve kolonizatorë u shpall dy ditë më pas të atij korriku, e po kështu lindja e fëmijës së parë të çiftit Rama në të njëjtën ditë me pavarësinë ndodhi...Që ke lindur me fat o Edi Rama këtë nuk e mëdysh askush por përpara sesa të të gostisim me dhuratën monotone duhet të flasim pak më shtruar. Ky 50 vjetor nuk të gjeti as ministër kulture, as kryebashkiak, as kryeopozitar por sikletet e këtij vendi të kanë thinjur e të kanë kërrusur më tepër. Datëlindja jote po na serviret si një sandëich që vështirë ta kafshojë dhe ta shijojë dikush. Kur pyet konsumatori se çfarë ka brenda sandëhich-i, ia hapim menunë dhe e lemë ta lexojë vetë:-koalicion delikat e i përkëdhelur sforcërisht me Metën,-militantë rilindas në llogoren përballë që presin të fillojnë punë,-gropa të zeza që të la hapur qeveria paciente e Doktorit,-ndërkombëtarët duan t'ua justifikosh dashurinë dhe puthjet pa limit që nuk po ti kursejnë kurrësesi,-ngazëllimi i Ëaterloo-së me Lazaratin,-puçkurica dhe mornica të marrjes së statusit nga BE-ja, dhe në fund porsi mustardë e fortë djegëse spërkatet me vrasjen makabre të "çunit tironc, i miri i çdo kujt Tan Santo..."Bashkë me sandëishin turli, të gjitha këto të janë kompozuar porsi preludi i asaj këngës së famshme "shumë urime për ty".Në këtë pentagramin e urimit notat muzikore harlisen mes euforisë, haresë, kujes, optimizmit dhe pesimizmit gjithashtu. E shkruajta dhe më sipër që je me fat plako por fati shpesh edhe të braktis e të sillet përkëdhelshëm si virgjëreshat, edhe të afrohet e të kërcënon, edhe të largohet e ta bën me sy. Je me fat sepse ndryshe nga Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta për ty nuk janë ulur historianët akademikë të ta llangosin biografinë sipas oreksit por ai tipi, (i treti nga fundi në këtë listën që të shkruajta një rresht më sipër) ta ka bërë biografinë më keq e më bukur seç e bënte Sulo Gradeci apo Rrapi Mino në koën e Dullës.Ky 50 vjetor lindjeje të pikturon para nesh edhe të ri edhe të plakur, edhe me flokë edhe gjysëm tullac, edhe me ngjyra edhe bardh e zi, edhe të çmendur edhe kreativ e punëtor, edhe pa brekë edhe me kostum, edhe beqar, edhe të divorcuar e të rimartuar, edhe basketbollist edhe golaxhi, edhe i dhunuar edhe dhunues, edhe publicist edhe politikan, edhe të shëmtuar edhe të bukur. Kontraversiteti i karakterit tënd fjeti pakëz në memoriet tona dhe duhet ta mbash vath në vesh (ke mbajtur ndonjë herë vath ti? ) gjithë jetën se morre 1 milionë vota qershorin e shkuar, dhe ky besim milionësh mbetet dhurata më e madhe që do marrësh ndonjë herë.Kur ka sebep dikush, kur gëzon me datëlindjeje e martesë apo kur larg qoftë vdes, ne raca arjane që sevdallisemi me një këmbë në Adriatik, me një këmbë në Jon e me allatet shtrirë sipër Dajtit të Tironës, fillojmë ta hapim barkun me temena e hipokrizira. Ndryshe nga dembelët stambollinj arnautë, unë nuk dua të të bëj temenara apo të ta prish ngazëllimin e gjysëm shekullit të jetës tënde. Nuk kam marrë sot në duar gërshërë të pres shiritat pa mbarim të furçave dhe pompave ndaj teje por më beso kur të shkruaj se 300 ditët e para të qeverisjes tënde të kanë lenë deri tani te nota 7. Mos sill në takim me prindër as Lindita Nikollën për ta futur mik sepse me provimet e maturës e zhveshi lakuriq arsimin tonë të mesëm e i dha hakun mësuesisë mediokre militante anembanë vendit. Edhe nëse të bërtas pse ke rënë nga mësimet policët e Sajmir Tahirit nuk do të ta vënë veshin të të mbrojnë sepse janë ende të dehur edhe nga suksesi edhe nga hashashi lazaratas. Mimi Kodheli nuk mund të harxhojë kohën kot duke abuzuar të vërë të përgjojë ushtrinë e saj sepse për herë të parë ata djem që paguhen me taksat tona janë ende duke pastruar rrugë dhe bregdet që pushimet e varfëra të shqiptarëve të paktën të jenë të pastërta. Minoritetet apo të pa punët nuk ndjehen të përjashtuar ngase ministri i tyre Veliaj ka kohë që është bërë pjesë me ta duke mos shitur pordhë veshur me kostum e kravatë por mëngë përveshur e gjen edhe te kasollja buzë lumit, edhe te rrobaqepsia e provincës duke lypur punë për të tretët. Turizmi dhe zhvillimi urban nuk do punën me zhurmë por do zhurmën e punës ashtu si ekonomia e Arben Ahmetajt që pulson pa më të voglin kompromis. Ende nuk po vozisim në autostradat e reja të Haxhinastos por të paktën siguria e riparuar e rrugëve duhet të vazhdojë pa kompromis. Reforma fiskale e Shkëlqimit duhet të shkëlqejë e ta ngrejë zërin sepse ka arsye të forta për tu mburrur me punën e Briseidës apo Elisës.2./Dhurata ime?Ndaj nuk ka arsye që të festosh, të bledhësh me kuç e me maç për tu hapur bythësh me mbrëmje apo darka mondane si ajo e Tedi Papavramit e të kërcasë sherri e shamataja. Mes kësaj vape ku njerëzia mbijeton me sytë dhe shpresë nga qeveria jotë do të ishte karshillëk i shëmtuar të festoje si i çmendur me miq, servilë, kolëgë, sahanlëpirës, gardistë, shampanjë, ngjala, pompozitet. Jemi velur me fasadën e luksit afrofe të këtij vendi dhe boll më, mos lëndo e mos lëndoni më të papunët, pensionistët, të sëmurët, hallexhinjtë, të braktisurit që janë me shumicë në këtë vend. Si kryeministër i një vendi në rilindje merr urimet më të sinqerta kur festat e tua private nuk ua shet me pordhë ekraneve por ua kursen me rrogat e mira dhe çmimet e lira të ardhurat e tyre. Pompoziteti i ceremonisë së dasmës me Lindën le të jetë i pari dhe i fundit aheng familjar e brendas tij lëre të rijë edhe ditëlindja, edhe festa e fitores poltike, edhe lindja e fëmijës, edhe martesat e pasardhësve. Të jesh me fat nuk do të thotë të kopjosh të tjerë kodoshë që kanë qeverisur në këto anë dhe ndoshta e kam të saktë kur them që s'ka më hapësirë boshe për zhurma të tilla të kota. Skënderbeu iu largua luksit të Stambollit sepse e thëriste gjeneza rurale, Ali Pashë Tepelena hante edhe bakllava (Vasiliqia) edhe kadaif (Bayroni), Ismail Qemali vdiq në Peruxha se po e mbyste intriga e fukarrallëkut dhe fukarrallëku i intrigës në këtë tokë. Zogu mbretëroi edhe me edhe pa brekë në bythë vetëm e vetëm të ngoptte egon e tij të sëmurë, shoku Enver ua thau zorrën miletit por njëkohesisht ua thau zorrën edhe mendjeve perverse të bllokmenëve qesharakë, Ramiz Alia kënaqej me përshesh me dhallë dhe me përshesh intrigash, Sali Berishën edhe kur e nxirrni jashtë parlamentit e fusin pastrueset fshehurazi nga banja e grave, Fatos Nanon çoje jo vetëm në Vienë por edhe në ishujt Fixhi sërish te Taiëan-i do vijë të shesë pordhë...pra të gjitha modelet dhe modulet ballkanase janë ezauruar e konsumuar.Më bukur si do të festohej?Kënaqu me mesazhet e urimeve, pi një gotë me stafin dhe shoqerinë dhe vazhdo puno. Po bëre festa me temenara edhe minsitrat do ia varin punës dhe shkrehet adminstrata për disa orë, policët do angazhohen të të ruajnë ty dhe të ftuarit e krimi i rradhës do vërdhojë me skafandra, mjekët do ia bëjnë mutin pacientit për të ndjekur transmetimin "live" të festës tënde në tv, gjykatësit do xhelozohen nga dhuratat e shtrenjta që do marrësh e do fillojnë tu bien me top gjobave për të liruar kriminelët nga burgu...Dhuratat? Ah desh harrova. Kisha në plan të të sillja edhe unë dhuratën por mos pretendo për zarf të fryrë me euro brenda. Mendova të blija librin e ri të gazetarit Fatos Baxhaku "Femra të përgjithsme" por deri në këto momente që po të shkruaj, Thesari i shtetit nuk na i ka kaluar ende rrogat në llogaritë bankare. Ne buxhetorët që nuk tenderosim asgje me paratë publike e presim me gëzim fillim muajin sepse paguajmë qeranë, faturat, taksat dhe gëzohemi bashke me frigoriferin që mbushet me ushqimet e muajit. Ndaj po ta kesh vënë re të vlerësova qeverisjen me notën 7 sepse shërbimet publike janë ende katastrofë dhe ta ulin notën.Gëzuar Edi Rama! Gjysëm shekullin po ta llogaris si gotën e mbushur gjysëm. Po të mbaj pak me hatër por e meriton. Gjysma tjetër ende bosh, mbushet me më shumë kurajo, trimëri, efiçence e më pak arogancë. Gëzuar!!!