Kodheli Inspekton policinë ushtarake: Angazhim në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, zhvilloi ditën e sotme një inspektim në repartin e Policisë Ushtarake.Ajo u prit nga komandanti i Policisë Ushtarake, kolonel Xhedvdet Zeneli dhe më pas ndoqi një varg demonstrimesh ushtarake që lidhen me detyrat që kryejnë efektivat e kësaj policie në veprimtarinë e tyre të përditëshme ku u demonstruan veprime për hetimin dhe zbulimin e veprimtarisë kriminale në FA për lirimin e objekteve të zëna por që janë në përdorim të saj, për shoqërim të personaliteteve të larta ushtarake dhe personave VIP.Sakaq, Kodheli përgëzoi efektivat e Policisë Ushtarake për arritjet përgjatë procesit stërvitor, për profesionalizmin dhe disiplinën e fortë të trupave të FA.“Falënderoj në mënyrë të veçantë Sektorin e Policisë Kriminale dhe të gjithë ata djem e vajza të policisë që janë angazhuar dhe kanë kontribuar në zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë kriminale dhe në mënyrë të veçantë në luftën kundër korrupsionit në FA”, tha Kodheli.Ajo u ndal në luftën kundër korrupsionit dhe kujtoi se miratimin në Parlament të disa prej ligjeve me kryesore si, "Ligji për Autoritetet e Drejtimit dhe Komandimit Strategjik", "Ligji për Karrierën Ushtarake", "Ligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes" dhe sipas saj po punohet nga grupet e punës edhe për një sërë ligjesh të tjera.Këto ligje do t’i japin FA bazën ligjore me të cilën ndërtojnë punën dhe aktivitetin e tyre të përditshëm bazuar në realitetet e reja që po jetojmë", tha ajo.Ligji i ri që po përgatitet “Për Policinë Ushtarake në FA” do të bëjë të mundur një mbështetje më të mirë ligjore për realizimin e misionit tuaj, në mënyrë të veçantë, në luftën ndaj krimit në përgjithësi dhe korrupsionit në FA në veçanti, theksoi Kodheli.Në fund të fjalës së saj, ministrja e Mbrojtjes Kodheli shprehu besimin e palëkundur për efektivat e Policisë Ushtarake, të cilët sipas saj të ardhmen, “do të punojnë pa u lodhur për krijimin e një policie sa më profesionale dhe të aftë për të kryer çdo detyrë që do iu ngarkohet, në mbështetje të misionit të tyre fisnik”.e.k/oranews/online