Golem, hapet plazhi i parë publik model Rama: Kurrë më plazhe me plehra
Durrës – Një plazh publik model në Golem të Durrësit, në të cilin gjendet kulla e rojës bregdetare, biblioteka e plazhit apo edhe zona e përcaktuar për të notuar tashmë është realitet edhe në Shqipëri. Ai është një projekt që po zbatohet edhe në 10 kampe të tjera në vend. Ky plazh publik, që ndryshe quhet Kampi i Vullnetarëve, është vizituar sot nga Kryeministri Edi Rama.Këto kampe do të shtrihen në të gjithë vijën bregdetare të vendit dhe do të kenë, përveç vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura, edhe infermierë dhe të tjera struktura që do t’i mbushin ditët me aktivitete sportive dhe kulturore.Auron Tare, kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit shtoi edhe një festival të Filmit të Detit dhe aktivitete të tjera, që do të shërbejnë si argëtim për pushuesit.Me këto plane, Qeveria shqiptare ka nisur disiplinimin e plazheve publike, për herë të parë.Kryeministri Rama, gjatë vizitës së tij, tha: “ Është një program i ri, që ne e vëmë në jetë për herë të parë, që synon që t'i japë fund një tradite shumë të turpshme dhe që na vë të gjithëve si shoqëri dhe si vend në pozitë të tmerrshme, edhe me vizitorët e huaj, të plazheve të pista, të plazheve ku çfarë konsumohet hidhet në rërë, të plazheve ku nuk ka kujdes për mjedisin.Është bërë një punë kolosale gjatë gjithë 6-mujorit të parë të vitit, falë kontributit të Forcave të Armatosura për të pastruar mbetjet historike. Tani jemi në fazën kur do të pastrojmë mbetjet e përditshme. Duhet t’i pastrojmë në bashkërisht dhe duhet të insistojmë që pak nga pak të gjithë pushuesit të marrin pjesë në këtë përpjekje, duke mos hedhur mbeturinat, por duke siguruar që të gjithë mbeturinat e konsumit të tyre në plazh te hidhen ne pikat e caktuara. Kjo do të ishte një fitore historike për një shoqëri që pret shumë më tepër se kaq nga turizmi dhe për një vend që kërkon të jetë një vend me nam të madh dhe të mirë si një vend turistik.Pengesa e parë që kemi janë plehrat dhe kultura jonë mizerabël e marrëdhënieve me mjedisin. Por lehtësisht mund ta ndryshojmë këtë, duke menduar siç mendojmë në shtëpinë tonë. Asnjëri nuk i hedh plehrat në mes të shtëpisë. Atëherë, pse duhet t'i hedhim në mes të plazhit?! Dhe secili të japë kontribut dhe secilin duhet ta ndihmojmë të kuptojë se nuk mundet më të vazhdojmë kështu. Kjo është puna kryesore që kanë këto grupe, përveç pastrimit që do bëjnë në çdo metër katror,"- tha Kryeministri.ar.sh/Oranews.tv