Zbulohet "Lazarati" në Shkodër, asgjësohen parcelat e para
Shkodër- Policia e Shkodrës ka nisur mëngjesin e sotëm një aksion antikanabis në zona të thella të këtij qarku, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.Janë zona që kultivuesit i zgjedhin për të vepruar të qetë dhe larg syrit të policisë, kryesisht toka pa pronar.Nga ky aksion është bërë i mundur zbulimi dhe asgjësimi i 7 parcelave të mbjella me nga 700-1000 rrënjë bimë kanabis sativa. Ato u zbuluan dhe u asgjësuan me anë të djegies, në fshatrat Vjerdh, Lisen dhe Mazrek në komunën Gur i Zi të Vaut të Dejës.Operacionet për asgjesimin e kanabisit në zonën e Shkodrës janë intensive, shprehet shefi i operacionit anti-kanabis,Sajmir Rrustemi, i cili shton se terreni është mjaft i vështirë, ndërsa është duke u punuar për arrestimin e pronarëve.Gjithashtu gjatë operacionit uniformat blu bënë të mundur edhe shoqërimin e një personi, i cili ndodhej në një parcelë të mbjellë me duhan.15 grupe policore të përbëra nga 45 efektivë kanë marrë pjesë në aksionin policor në të cilin ndodhej edhe drejtori i policisë së Shkodrës, Shaban Nexhi.Fshatrat e Mazrrekut të Komunës Gur i Zi, të Shoshit, të Shkrelit dhe të Shllakut janë të identifikuar si zona problematike sa i përket kultivimit të kanabisit.Aksionet e policisë së Shkodrës në luften kundër kultivimit të lëndëve narkotike do vijonë duke qenë se në periudhën në të cilën ndodhemi, bima është e gatshme për korrje.