Nesër nis muaji i Ramazanit, kreu i komunitetit mysliman: Koha për paqe e solidaritet
Tiranë- Më shumë se 1 miliard myslimanë në të gjithë botën nisin nesër muajin e shenjtë të Ramazanit. Liderët fetarë nga e gjithë bota kanë bërë thirrje për një muaj paqe e solidariteti.Edhe ne Tirane, kreu i komunitetit mysliman, Skënder Brucaj, ndërsa uroi një muaj të mbarë agjerimi u kujtoi besimtarëve se ky është muaji i mëshirës, paqes dhe solidaritetit.Sipas kalendarit mysliman muaji i shenjtë i Ramazanit fillon me 28 qershor dhe dita e parë e Fitër Bajramit është me 28 korrik.Sipas fesë islamike, çdo besimtar mysliman, është i detyruar të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfërit si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët.Pas 30 ditëve agjërim, muslimanët festojnë Bajramin e Madh. Fillimi i Muajit të Ramazanit, përcaktohet sipas kalendarit hënor.Urimi i plotë i Brucaj për besimtarëtBismil-lahi Rrahmani Rrahim!Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni, në Shqipëri, në trevat Shqiptare, si dhe në mbarë botën.Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por edhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe nderin t'ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit. Nesër është dita e parë e këtij muaji të Bekuar dhe njëkohësisht dita e parë e agjërimit. Ramazani është muaji i paqes, i solidaritetit dhe i mëshirës hyjnore. Në këtë muaj të begatë shtohet dashuria për njeri-tjetrin, dhe në veçanti në zemrat e besimtarëve mbizotëron dëshira e faljes së gabimeve dhe sjellja me butësi e urtësi.Agjërimi i Ramazanit i afron besimtarët më shumë me vlerat e dashurisë, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit, dhe çdo besimtar ndjehet më afër dhe më mirënjohës ndaj Zotit të botëve. Për agjërimin, Allahu i Gjithëmëshirshëm në Kur'anin Famëlartë, thotë: "Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra, kush nga ju që arrin këtë muaj, le ta agjërojë".Në këtë muaj Krijuesi i gjithësisë hap dyert e mëshirës për të gjithë besimtaret, të cilët e kryejnë këtë adhurim më përkushtim e devotshmëri. Agjërimi mbart në vete urtësinë, begatinë, sakrificën dhe përkushtimin ndaj Krijuesit të gjithësisë.Destinacioni final i agjërimit është fitimi i kënaqësisë së Krijuesit. Muaji i Ramazanit është muaji i Kur'anit famëlartë. Le të jetë ky muaj i bekuar muaji i përkushtimit drejt njohjes thellësisht të mesazhit hyjnor, i përfaqësimit të vlerave islame.Te nderuar besimtarë!Ky muaj i begatë na rikujton kujdesin dhe vëmendjen që duhet të kemi për njerëzit në nevojë, për jetimët, për individët me aftësi të kufizuara, dhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë që kërkojnë kujdesin dhe përkushtimin tonë në përmbushjen e nevojave të tyre, në mënyrë që në këtë muaj të begatë të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja në të gjitha familjet shqiptare.Muaji i Ramazanit është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, një rrugëtim drejt edukimit shpirtëror, drejt përqafimit të vlerave Islame. Le të jetë ky muaj i begatë një mundësi më shumë për një përkushtim dinjitoz drejt fitimit të Kënaqësisë së Zotit.Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë kudo që ndodheni në Shqipëri dhe jashtë saj, ju uroj përzemërsisht edhe njëherë gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit duke ju uruar shëndet, paqe, dhe begati në familjet tuaja dhe në mbarë shoqërinë.Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët.