Forcimi i bashkëpunimit, mbërrin në Shqipëri një delegacion i nivelit të lartë nga Kazakistani
Tiranë- Me ftesë të Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi mbërriti sot në Shqipëri një delegacioni i nivelit të lartë nga Republika e Kazakistanit, i kryesuar nga Ministri i Mjedisit, shoqëruar nga Këshilltari i Presidentit, zyrtarë të lartë të shërbimit diplomatik dhe të agjencive kazake të bashkëpunimit ekonomik dhe ndërkombëtar si dhe drejtues të disa prej kompanive më të mëdha në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe investimeve, si SamrukEnergo, Kazyna Capital Management dhe KazMunaiGas.Delegacioni është pritur sot nga Zëvendëskryeministri në një darkë zyrtare, ndërkohë që nesër do të zhvillojë takime me Ministra dhe përfaqësues të sipërmarrjes shqiptare për të diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kazakistanit dhe për të eksploruar mundësinë e investimeve kazake në disa fusha të rëndësishme të ekonomise shqiptare si infrastruktura, energjia dhe turizmi.Gjatë takimeve do të diskutohen dhe hartohen një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi që kanë për qëllim intensifikimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve mes dy vendeve, si dhe përgatitjen e vizitës së Presidentit të Kazakistanit, Shkëlqesisë së Tij, Nursultan Nazarbayev, i cili do të vizitojë Shqipërinë me ftesë të Kryeministrit Rama gjatë muajve në vijim.Ky shkëmbim vizitash, pason vizitën që bëri në Kazakistan para pak kohësh kryeministri Edi Rama, e cila ishte shkëmbimi i parë i këtij niveli mes dy vendeve.