Statusi, Cannon: Britania nuk ka vendosur ende. Hollanda vendos nesër

Tiranë-Londra zyrtare ende nuk ka një vendim për statusin kandidat të Shqipërisë. E listuar në top 5 listën e vendeve spektike që i thanë jo Shqipërisë dhjetorin e kaluar, Britania e Madhe pritet të marrë një vendim final brenda kësaj jave. Ambasadori britanik në Shqipëri , Nicholas Cannon, tha se procesi po merret shumë seriozisht dhe po diskutohet në nivele shumë të larta në Londër.“Kemi parë shembuj në rajon kur disa vende u shtynë shumë shpejt brenda procesit të anëtarësimit pa krijuar të gjitha standardet dhe reformat. Sa i përket statusit kandidat të Shqipërisë nga ana e qeverisë britanike akoma nuk është marrë një vendim.Të paktën deri tani, pasi unë telefonova gjysëm ore përpara. Kjo tregon se ky proces po merret shumë seriozisht dhe po diskutohet në nivele shumë të larta në Londër. Dhe mendoj se vendimi i Londrës dhe disa vendeve të tjera do të lajmërohet brenda kësaj jave” tha ai.Ambasadori sqaroi dhe disa lajme të publikuara gjatë javës që lamë pas nga të përditshme londineze, të cilat flisnin se Shqipëria do marrë një PO nga Anglia.“Ka pasur disa lajme gazetash gjatë javës, nga përvoja ime si diplomat gjithë këtyre viteve nuk u duhet besuar gjithmonë atyre që shkruhen në gazeta, sidomos në ato britanike”.Ndërkaq një tjetër vend skeptik, Hollanda vendos nesër mbi qëndrimin që do të mbajë për statusin kandidat.