Në demokraci fiton vota?

A mund të këtë një qeveri përtej votës së parë elektorale? Në Itali zgjedhjet fituan individe të tjerë por kryeministër u bë Renci. Sepse politika shpesh funksionon si real-politike. Në Greqi palët votuan ndryshe por koalicioni midis dy partive ishte përcaktues. Në Slloveni e Kroaci ka ndodhur që partia e parë të vuajë për partnerë qeverisës dhe kështu, partitë e dyta të bashkohen për krijimin e qeverisë.Tani është Kosova: fiton qeveria, bashkohet opozita dhe kështu, krijohet një shumicë tjetër mbi bazën e të cilës demokracia perfaqësuese funksionon! Pse funksionon? Sepse se bashku opozita ka më shumë vota sesa qeveria. A nuk ishim kështu edhe ne në Shqipëri me 2009 kur nuk krijoi qeveri partia me numrin më të madh të votave por partia me koalicionin më të madh, pra me mandate më shumë?Kosova e ka një produkt publik: Haradinaj është një politikan më i pranueshëm, më efektiv, më me energji dhe më konsensual sesa shefi aktual i qeverise. LDK merr presidencën që vjen pas mandatit aktual. Do të thotë, nuk ka zgjedhje direkte nga populli, por vijojmë me zgjedhje në parlament! Vetvendosja me njerën kembë në pushtet dhe tjetrën në opozitë!Dhe ka Prishtinën! Pas 8 vitesh koha që qeveria dhe miliarderët e saj të kalojnë në opozitë. Më të njëjtat rregulla loje siç edhe erdhën në pushtet. A mjafton ky lexim për të qënë optimistë? A është demokracia votë, proçedurë, bisedime, kompromise dhe përfaqesim? Kjo marrëveshje thotë PO.Praktika të tilla gjenden shpesh në vende ku demokracia përfaqësuese është ende eksperimentale dhe ku palët politike kanë diferenca minimale midis tyre. Kushtetuta i jep të drejtë kësaj formule.Qytetarët e mësuar me praktika të tilla koalicioni edhe në të shkuarën janë të gatshëm të pranojnë gjithcka ofrojnë korridoret e politikës. Sido të shkojnë bisedimet, Kosova bëri zgjedhje, fitoi standardet e zgjedhjeve por zgjedhjet nuk ofruan ndonjë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë!Dhe kur zgjedhjet nuk bëhen dot zgjidhje demokracia mbetet e brishtë, institucionet mbeten të brishta, Kosova politike mbetet ende e brishtë, dhe vizioni qytetar për politikën vijon të jetë i brishtë! Shpesh pushteti nuk është qellimi i vetëm, thënie që vlen për demokracitë e vlerave jo në ato ende në tranzicion!