"Vetëvendosja!": Nuk do të ketë Qeveri "Thaçi" për të tretën herë

Kosovë – Lëvizja “Vetëvendosje!” do të bëjë të pamundurën që Kosova të mos ketë për të tretën herë, qeverinë e Hashim Thaçit.Kështu ka deklaruar sot në një konferncë të jashtëzakonshme për mediat, Albin Kurti, kryetari i "Vetëvendosjes!" pas marrëveshjes së partive opozitare për të nxjerrë si Kryeministër Ramush Haradinajn.Kurti theksoi se “Vetëvendosja!” e konsideron “prioritet mbi prioritetet në Kosovë në këto momente, shkëputjen e qartë me regjimin dhe sundimin e Thaçit, si dhe çlirimi i shtetit të Kosovës nga kapja që ia ka bërë korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, shitja e pasurive publike e natyrore si dhe varësia prej pazareve me Serbinë.Më poshtë, deklarata e plotë e Albin Kurtit titulluar:“Nuk ka Qeveri “Thaçi 3”“Pas iniciativës tonë të djeshme për ta pamundësuar qeverinë e re të regjimit të vjetër, një delegacion i Lëvizjes “Vetëvendosje” i përbërë nga Albin Kurti, kryetar, Dardan Molliqaj, Sekretar organizativ, si dhe Visar Ymeri, anëtar i Kryesisë, janë takuar sot me përfaqësuesit dhe udhëheqësit e LDK-së, të AAK-së dhe të Nismës për Kosovën. Tema bosht e këtyre takimeve ka qenë pamundësimi i krijimit të qeverisë Thaçi 3, nga PDK-ja. Përfaqësuesit e të gjitha këtyre subjekteve janë shprehur të vendosur që të mos hyjnë në koalicion me Hashim Thaçin dhe PDK-në. Ky është lajm shumë pozitiv pas lajmit shumë të keq që PDK-ja doli e para në zgjedhje.Është hap cilësor që të tri subjekte politike, LDK, AAK dhe NISMA për Kosovën, kanë vendosur që mos të jenë në asnjë mënyrë në koalicion me PDK-në, dhe njëkohësisht janë marrë vesh që të kenë një kandidat të përbashkët për kryeministër.Lëvizja “Vetëvendosje” konsideron se prioritet mbi prioritete në Kosovë aktualisht është shkëputja e qartë me regjimin dhe sundimin e Thaçit, si dhe çlirimi i shtetit të Kosovës nga kapja që ia ka bërë korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, shitja e pasurive publike e natyrore si dhe varësia prej pazareve me Serbinë. Kjo është mënyra e vetme se si mund ta krijojmë një mjedis demokratik në vend i cili do ta vendoste Kosovën në binarë të progresit.As negociatat me Serbinë e as privatizimi i egër i ndërmarrjeve publike nuk i kanë ndihmuar as shtetndërtimit e integritetit institucional dhe territorial të vendit, e as zhvillimit ekonomik e rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Është e domosdoshme që në Kosovë ta kemi një ndryshim të theksuar të kursit dhe politikave prej atyre që i kemi parë në zbatim deri më tash. Qeveria e ardhshme, si Qeveri e emergjencës, duhet t’i pezullojë bisedimet me Serbinë dhe implementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe privatizimet në KEK, PTK e Trepçë.Lëvizja “Vetëvendosje” do të punojë e angazhohet edhe më tej që ta pamundësojë krijimin e qeverisë Thaçi. Në këtë drejtim do të vazhdojmë kontaktet me subjektet e tjera politike për t’i diskutuar modalitetet për këtë qëllim. Po ashtu, angazhohemi që ta nxjerrim Kosovën nga duart e korrupsionit e krimit, si parakusht për çfarëdo zhvillimi ekonomik e demokratik në vend.”ar.sh/Oranews.tv