Meta takon Kryeministrin e Kuvajtit: Lehtësim të regjimit të vizave për kuvajtianët

Kuvajt- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vijoi vizitën e tij zyrtare në Shtetin e Kuvajtit me një pritje të ngrohtë nga Kryeministri i Shtetit të Kuvajtit Madhëria e Tij Sheikh Jaber Al-Mubarak Al-Hamad Al-Sabah me të cilin biseduan mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga delegacioni parlamentar i përbërë prej Nën Kryetarit të Kuvendit, Edmond Spaho, Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS Gramoz Ruçi, Kryetarit të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kuvajt,Shpëtim Idrizi dhe deputeti Musa Ulqini.Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetit të Kuvajtit ndaj zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe në veçanti për forcimin e marrëdhënieve përmes dy Ambasadave reciproke.Në këtë kuadër Meta bëri një vlerësim të veçantë për projektet e Fondit Kuvajtian për Zhvillim në Shqipëri, duke shprehur gatishmërinë për të mirëpritur një përforcim të prezencës së Fondit.Kryetari i Kuvendit Meta përcolli përshëndetjet e ngrohta të Kryeministrit Rama për homologun e tij duke theksuar se Kuvendi e mbështet Qeverinë e Shqipërisë në reformat që ka ndërmarrë, dhe duke vënë në dukje njëkohësisht rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me Qeverinë e Shtetit të Kuvajtit në kuadër të garantimit të suksesit të këtyre reformave.Kryeministri i Shtetit të Kuvajtit Sheikh Jaber i uroi mirëseardhjen z. Meta dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë për intensifikimin e kontakteve mes dy vendeve përmes dy qeverive, parlamenteve dhe përmes Fondit Kuvajtian për Zhvillim, si dhe shprehu kënaqësinë për organizimin brenda këtij viti të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar.Sheikh Jaber shprehu gjithashtu mirënjohjen e Qeverisë së Shtetit të Kuvajtit për mbështetjen e Shqipërisë gjatë ditëve të vështira të pushtimit të Kuvajtit, akt që i forcon lidhjet vllazërore mes dy popujve.Kryetari i Kuvendit u shpreh se duke marrë në konsiderate marrëdhëniet shume të mira dhe vllazërore mes dy vendeve dhe popujve, Shqipëria mund të jetë një portë hyrëse për investimet kuvajtiane në rajonin e Evropës Juglindore, dhe se fokusi i forcimit të bashkëpunimit duhet të përqendrohet në një përqasje rajonale të projekteve.Në këtë kuadër, Meta nënvizoi se Shqipëria është e gatshme të rishikoje lehtësimin e regjimit të vizave për shtetasit kuvajtiane dhe të përshpejtojë procesin e plotësimit të kuadrit ligjor, në shërbim të intensifikimit të shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve mike.