“Administrata” shtyhet një javë, Ruçi - Palokës: Hetim i paragjykuar
Tiranë - Kuvendi ka vendosur sot që ngritja e komisionit hetimor për largimet nga administrata, propozuar nga PD-ja, të votohet të enjten e ardhshme, pasi të bihet dakord ndërmjet grupeve parlamentare të majta dhe të djathta nëse do ta zgjerojnë objektin e hetimit që nga viti 2009-të siç kërkon mazhoranca ose jo.Por, vendimi është kundërshtuar fort nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka dhe deputetët e djathtë sepse ata kërkonin që objekti i hetimit t'i përmbahej kërkesave të tyre.Pikërisht këto kërkesa u hodhën poshtë nga Ruçi, i cili i konsideroi ato si të paragjykuara, pasi emërimet quheshin "të paligjshme" ende pa u bërë hetimi; quheshin "politike "dhe të emëruarit të shiheshin nëse ishin të inkriminuar.Ja debati: Paloka: S’kemi pse votojmë propozimin e PS-së. Ka vetëm një kërkesë të PD-së për Komision hetimor për largimet në administratë dhe kjo duhet votuar.Pikë.Meta: Një mendim. Mos ndoshta votimin duhet ta shtojmë për javën tjetër dhe të bëhen përpjekje për një kompromis? Z.Ruçi, si mendoni, se nuk është thjesht për të bërë një votim? A jeni dakord të bëjmë votimin të enjten tjetër?Paloka: Duhet të kemi një arsye për ta shtyrë votimin. Kemi gjithë ditën në debat. Nuk ka marrëveshje. Ne duam të hetohet nga periudha që kemi përcaktuar ne.Stërkaj: E kuptoj z.Paloka që kërkon me forcë, por këta duan të përsërisin ’97 kur u bë një aministri dhe s’u gjykuan asnjë lloj problemi. U liruan me qindra kriminelë me dekret të Presidentit të asaj kohe. Dhe sot duan të hetojnë kur u intereson,jo kur janë bërë shkeljet. Ndaj unë nuk e mbështes personalisht këtë komision në pikat që kërkon PD-ja.Ruçi: Ne jemi në zbatim të plotë të Kushtetutës, të ligjit për komisionit, të vendimeve të Gjykatave Kushtetuese. Përse ne jemi kundër këtij komisioni? Në esencë ne jemi pro, objektit, për të hetuar lidhur me zbatimin e legjislacionit për emërimet në administratën por nuk jemi dakord që në objektin e vendosur, që bie në kundërshtim me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit për komisionet kushtetuese, citoj cili është objekti i tyre:“Për emërimet e kundraligjshme” – pra, po qenë kundraligjshme, ju e paskeni bërë hetimin.“Për emërimet politike”!“Për realizimin nëse kanë kryer krime apo dyshohet se kanë kryer krime”- Ç’është kjo?Të katër këto terma bien në kundërshtim me krejt arsyetimin që ka bërë Gjykata Kushtetuese. Ndaj, ajo që kërkojmë, urdhëroni të hetojmë dhe nuk kemi filozofinë që ishte apo që është, por këtu shihet problem dhe Shqipëria ka një problem me emërimet në administratën e shtetit dhe nëse jemi të pabesueshëm, le të besojmë të gjithë progres raportet që ka dërguar KE-ja.Po, kemi të bëjmë me një problem, me një kërkesë që na e ka shtruar KE-ja. Urdhëro, ka një reflektim të plotë të pozitës dhe opozitës për ta parë problemin me themel për të hetuar periudhën nga 2009-2014. Një fenomen nuk mund të hetohet me 3 muaj apo me 5 apo 8 muaj. Të tre raportet e fundit e kanë problemin e administratës shtetërore. Ne kërkojmë që pala kundërshtare, nëse e pranon propozimin tonë, urdhëro ta votojmë sot. A ka hapësirë ta lëmë javën tjetër, dakord, ta diskutojmë.Paloka: Po, por ka një pikë ku ne nuk mund ta ndryshojmë objektin e hetimit.Kurse, raporti i Komisionit hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit” u miratua me 72 vota pro dhe 1 kundër.“Administrata”, PD: Qeveria e kapur nga krimi, Komision. PS: OK, por hetim nga 2009Kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në adminsitratën shterore ka rikthyer dhe një herë debatin për trafikun e drogës në parlament.Deputeti, Oerd Bylykbashi, ndërsa prezantoi kërkesën e PD në seancën plenare, tha se ngritja e komisionit aq sa një e drejtë legjitime e opozitës është një emergjencë në një kohë kur shteti është kapur nga krimi.“Kur qeveria shkel ligjin e parlamentit në fakt po rrënojnë pushtetin e organit më të lartë që mban legjimitetin popullor përmes votës, parlamentit. Parlamenti ka për detyrë kushtetuese të kontrollojë sesi zbatohet ligji i tij dhe të ndërhyjë kur kompetenca e tij të cënohet apo kur ligji që ka prodhuar është i pamjaftueshëm. Opozita ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshëmrisë së emërimeve në administratë. Ne besojmë fort se funksionimi normal i administratës shtetërore është i lidhur ngushtësisht me pastërtinë e figurës së zyrtarëve publike dhe emërimet duhet të bazohen në integritet moral dhe paanësi politike. Për fat të keq pas ardhjes në pushtet të qeverisë Rama-Meta është vënë re një vullnet i palëkundur për diçka tjetër, për zhbërjen e administratës shtetërore ekzistuese dhe zëvendësimin e profesionistëve me milantë partiakë. Por të ishte lënë me kaq do ishte gjysma e së keqes. Drejtimi i amdinistratës shpesh herë u është besuar personave të dënuar apo të dyshuar dhe në proces hetimi, herë herë dhe jashtë Shqipërisë si të përfshirë në veprimtari kriminale. Para 23 qershorit Edi Rama bëri një pakt me maskarenjtë dhe kriminelët , vetëm që të rrëzonin Sali Berishën dhe PD. Ky pakt nuk i dha më shumë mandate, por çmimin po e paguan tani duke u dhënë pushtet krimit në administratën publike. Prej muajsh PD ka denoncuar publikisht emërimin në postet e larta të administratës shtetërore të dhjetra personave që kanë qenë të përfshirë në veprimtari kriminale. Dy oficerë policie u shkarkuan para një jave për atë që diskutohet që ka qenë përfshirje në aferën e trafikut të drogës. Por sa drejtues policie të shkarkuar më parë nga qeveritë socialiste janë rekrutuar sot përsëri në drejtimine lartë të policisë së shtetit. E gjithë kjo është provuar tashmë nga Komisoni hetimor. Kjo provon kapjen e shtetit nga krimi, duke injoruar kërkesat ligjore.Qartazi është e nevojshme të hetohet nga parlamenti nëse është shkelur ligji. Ky i sotmi është i katërti komision hetimor që opozita kërkon, deri sot keni pranuar me vështirësi të madhe vetëm atë për lëvizjet në polici” tha ai.Por nga ana tjetër mazhoranca përmes deputetit, Armando Subashi, duke njohur të drejtën legjitime të opozitës për të kërkuar ngritjen e komisionit deklaroi se nuk mund të mbyllë sytë para objektit të tij. Subashi duke dhënë ok në parim kërkoi që objekti i hetimit të zgjerohet në kohë, nga 2009 deri në prill të këtij viti.Pjesë nga diskutimet në seancëBerisha: Votojmë dhe Komisionin nga 2009, nuk humbasim asgje“Zoti. Bashkëkryetar, të cilin e enjta e bën verem, a e dëgjuat në Shkodër çfarë tha, java ka dhe ditë të tjera përveç të enjtes. Por kryetar parlamenti që tregon alergji dhe veremoset nga dita e parlamentit në botë je vetëm ti dhe veremosesh sepse veremoset bashkëkryetari tjetër i cili nxin në mungesën e tij në parlament. Kjo që ndodh me të vërtetë është qesharake. Do mbrojmë të drejtën tonë. Por ti mohoni opozitës një të drejtë kushtetuese dhe të krijoni këtu diskutime shumorëshe, opozita është e detyruar të realizojë qëndrimin e saj. Por sa produktive është kjo për paralmentin. Nëse ky parlament ka një armik, ka mazhorancën sot. Nëse mazhoranca është bërë verem nga ky parlament, e ka bërë vetë verem me qëndrimet që mban. Doni të krijoni komision nga 2009, edhe 2005-2013, krijojeni, por pse doni të ndryshoni objektin dhe të shtoni dhe këto vite. Doni të merreni me të shkuarën, ne duam të merremi me të sotmen dhe të ardhmen. Por absolutisht ne do të votojmë këtu. Doni ta bëni kështu, bëjeni ne nuk humbasim gjë. Edhe pse mërzitën 2-3 vetë nga parlamenti, populli e ndjek me kënaqësinë më të madhe”.Rendi i ditës 1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 29.05.2014.2. Projektligj “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar”.3. Projektligji “Për Autoritetet dhe Pushtetet e Drejtimit e të Komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.4. Projektligji “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e punës së institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2013”.6. Projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore”.7. Raport i komisionit hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit”. - Paraqitje e raportit përfundimtar nga deputeti Taulant Balla (zëvendëskryetar i komisionit) dhe paraqitja e mendimit te pakicës nga deputeti Arben Ristani (kryetar i komisionit).8. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.