“Corriere” reportazh për trafikun e drogës nga ajri: Alarmi i ri, Adriatiku
Itali- Avioni italian që mbeti në rërën e Divjakës ka bërë që mediat italiane ti kushtojnë jo pak hapësirë trafikut të drogës nga ajri, i cili sipas tyre përbën problem shqetësues për vendin fqinj.Prestigjiozja italiane “Corriere della Sera” vjen me një reportazh për trafikun e marijuanës dhe heroinës nga Shqipëria drejt vendit fqinj nën titullin “Fluturimet e drogës, flota e narkosit drejt Italisë”.Alarmi i ri për sa i përket trafikut të drogës nga ajri,sipas reportazhit është pikërisht ai që i përket Adriatikut.Sipas gazetës, për udhëtimet nga Shqipëria dhe Ballkani drejt Italisë janë informuar dhe autoritetet italiane kohët e fundit. Veriu i Italisë është më i ekspozuari, gjë që sipas gazetës e tregojnë dhe shifrat.Numërohen 70 pista për uljen e avionëve të vegjël në Veneto, 30 në Friuli, 80 në Lombardi dhe 80 të tjera në Piemonte, pa llogaritur këtu pistat private në pronat private.“Nga Shqipëria transportohet marijuanë dhe hashash që prodhohen në sasi të mëdha në vend dhe heroinë që blihet nga Turqia. Malli futet në valixhe dhe canta për tu ngarkuar më pas në avionë të vegjël. Nga janari deri në prill të këtij viti sipas burimeve të policisë shqiptare në Itali kanë mbërritur dhe janë sekuestruar 9.730 kilogramë marijuana” thuhen në reportazh.Reportazhi flet dhe për arrestimin e pilotit italian, Xhorxho Riformato.“Disa ditë më parë i është dhënë dhe masa e arrestit në Shqipëri Xhorxho Riformatos, 58 vjec, nga Luino, i cili bëri një ulje emergjente me avionin e tij Piper në një plazh rreth 80 kilometra larg Tiranës. Në këtë rast u zbuluan 460 kilogramë marijuanë që akuza këmbëngul se i përkasin pilotit italian. Teknikët po kontrollojnë telefonin celular dhe ipadin e tij për të nxjerrë emra, numra dhe kontakte”.Në reportazh theksohet se flota e narkotrafikut është më e pranishme se asnjëherë tjetër, pa orare dhe pa kufij, pasi këta të fundit janë një linjë që dhunohet dhe nuk respektohet.“Nga Amerika Jugore drejt asaj të veriut ose drejt Afrikës. Madje edhe nëpërmjet Hindurasit. Por edhe nga zonat në kufijtë meksikanë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me deltaplanë me motor, avionë “Piper” të vegjël, Çesna të modifikuar por dhe me avionë të mëdhenj turistik të dorës së tretë”.Reportazhi i tre gazetarëve italianë analizon se fluturimet e narkotrafikut janë kthyer në një vektor transporti që kur Pablo Eskobar dhe kartelet kolumbiane në vitet 70 – 80, i dhanë trafikut të kokainës një organizim industrial.Aktualisht kuadrati ajror mes amerikës së jugut dhe kufirit Meksikë–SHBA, përfshirë dhe ishujt Karaibe, mbetet më i trafikuari nga fluturimet e drogës. Në fillimi të viteve 2000, narkotrafikantët hapën korridorin transoqeanik drejt Afrikës dhe më pas drejt Europës. Fluturime nga Maroku në Spanjë, Marok – Francë, Francë – Angli.Duke iu rikthyer sërish rrëzimit të avionit në Divjakë me 10 maj 2014, reportazhi thekson se ulja emergjente e avionit Piper në brigjet e Adriatikut shënoi hapjen e korridorit më të fundit të fluturimeve të narkotrafikut nga Shqipëria dhe Ballkani për në Itali.