Kombëtare pa identitet, mundemi edhe nga Hungaria 1-0
Kombëtarja Shqiptare vazhdon serinë e humbjeve. Në miqësoren e sotme përballë Hungarisë, kuqezinjtë e drejtuar nga De Biazi janë dorëzuar përballë ekipit Hungarez. Ndeshja e luajtur në Budapest ka përfunduar 1-0 në favor të vendasve.Pas humbjes disa ditë më parë kundër Rumanisë, sot vjen dhe humbja e dytë. Tekniku De Biazi vazhdon të eksperimentojë lojtarë duke mos i dhënë ende një fytyrë të përhershme kësaj Kombëtare. Një ndeshje e shëmtuar nga ana e Përfaqësueses sonë e cila nuk arriti për asnjë moment të vinte në rrezik kundërshtarin.Shqipëria e nisi ndeshjen me një rreshtim difensiv. Plot 7 mbrojtës të mirfilltë luajtën si titullarë në këtë takim. Hysaj, Mavraj, Curri, Lenjani, Cana, Agolli, dhe Lila përbënin mbrojtjen dhe mesfushën e ekipit tonë. Në sulm Cikalleshi i vetëm në sulm mbështetej nga Gashi dhe Rama. Pjesa e parë ka përfunduar me rrjeta të parprekura pasi edhe Kombëtarja hungareze nuk ishte në nivelin e duhur.Në pjesën e dytë fillojnë dhe zvëndësimet për Kombëtaren tonë. Futja në fushë e Kapllanit, Vajushit, apo Kaçes nuk solli asnjë ndryshim. Madje ky i fundit shkaktoi penallti në minutën e 81 e cila u shëndrua në gol nga Hungaria. Në minutat e fundit ekipi ynë sikur zgjohet duke kërkuar golin e barazimit por pa rezultat. Ndeshja mbyllet përfundimisht 1-0 dhe ne regjistrojmë humbjen e dytë në katër ditë.Eleminatoret e Europianit, "Francë 2016" po afrohen dhe Shqipëria duket ende mbrapa me përgatitjet. Mbetet për t'u luajtur edhe një miqësore tjetër në datën 8 përballë San Marinos dhe Shqipëria mbyll kështu 3-shen e miqësoreve. Dy ndeshjet e para ajo kundër Rumanisë dhe kjo e sotmja përballë Hungarisë, duhen harruar sa më shpejt pasi ishin dy humbje që ndikojnë edhe tek morali i skuadrës.