“Ocletcic”, bota e larmishme e artit të Olta Dokles ekspozohet në Shkodër
Shkoder- ‘Oclectic” një botë e larmishme dhe unike e artit dekorativ dhe aplikativ do të ekspozohet në Shkodër për një javë 7-14 qershor.Synimi i artistes së re Olta Dokle: Përmes artit dekorativ të frymëzojë zemrën dhe shpirtin vëzhgues, duke mbjellë ndjesi paqeje tek shkodranët, banorët e qytetit të saj të zemrës që për vite të tëra i fali dashurinë, nga e ka burimin dhe familja e saj e re.“Gjithnjë nxitem drejt frymëzimit artistik, në çdo gjë që më bjen ndër duar apo më zbret ndër sy. Admiroj ngjyrat dhe akcentet e guximshme, teksa pareshtur kërkoj ekuilibrin midis tyre. Arti dhe e bukura janë buka dhe uji i shpirtit tim. Kreativiteti është fryma që unë marr e jap nëpërmjet syve e duarve të mija. dhe është privilegj ta kultivoj e ta shpërndaj këtë ajër që më përmbush si qenie. Kur krijoj i lë instinktet e mia të më çojnë në hapin e ardhshëm e t’ma sugjerojnë edhe atë pas tij, pa e ditur se si do të përfundojë një krijim, pa pasur një skicë të paramenduar. Është një udhëtim i vogël, i paparashikueshëm, një moment sfide në kohë, një eksplorim pafund i rrjedhës sime vizuale, shpesh duke simetrizuar asimetriken,” përshkruan Olta momentet e saj artistike.Rikthimi i Oltës me artin në Shkodrën e artitE larguar nga Shkodra që prej 8 vitesh rkthehet në qytetin e saj me një ekspozitë ndryshe. Vajza e familjes Dokle, (e bija e aktorit dhe regjizorit Zehrudin Dokle nga Kukësi I cili për 10 vjet punoi si regjizor në teatrin Migjeni të Shkodrës dhe këngëtares Kleopatra Dokle nga Vlora) hap në Shkodër ekspozitën e saj të parë.Që prej 2006 jeton në Nju Jork së bashku me familjen e saj. E dashuar pas artit pamor u regjistrua në disa kurse pasuniversitare ku përfaqoi me shumë pasion hobin e saj të cilin e kishte lënë mënjanë për të ndjekur studimet në një tjetër fushë.Në vogli ajo impresionohej nga germat, dritat, ngjyrat, format, lëvizjet dhe motivet e gjalla. Ndërsa sot Olta zbulohet artistikisht në vizatim, pikturë, arte dekorative dhe aplikative. Interesi i saj në dizenjo dhe materiale nga më të ndryshmit e kanë mundësuar atë të mishërojë vizionet e saj, duke manipuluar me ngjyra, struktura, tekstura, cilësi dhe intensitete të shumëllojshme, por në një tërësi të ekuilibruar.Veprat e saj janë intuitive, spontane dhe emocionale, shpesh janë të prirura drejt një fantazie ëndërrimtare. Ajo sjell një përzierje të guximshme stilesh dhe fikson një udhëtim të brendshëm nëpërmjet ekspresionit të saj të prekshëm shumëngjyrësh, figurativisht apo në mënyrë abstrakte. Arti i saj rrjedh nga brenda-jashtë, duke lejuar ndërgjegjësimin e momentit të informojë procesin krijues.Pse Ocletic?Olta tregon arsyen: “Oclectic është qoshja e shpirtit tim artistik, është vatra e imagjinatës sime, është punishtja e ylbereve të mendjes sime. Oclectic jam unë, thjesht dhe lakuriq.Oclectic nuk është vetëm një emër artistik, është një hapësire ndjesish, që përmban varietet krijimtarie në kohë, stil dhe dimension.Emri “Oclectic” lindi krejt natyrshëm si në zhgjëndërr, duke personalizuar me një germë të vetme të emrit tim “O”, fjalën “Eclectic”... Ky zhanër vjen nga lëvizja artistike “Eclecticism” e shekullit të 19-të dhe përfaqëson prurjen e një varieteti stilistikash dhe ndikimesh artistike e historiko-etnike të kombinuara për të krijuar një të vetme të re, dhe karakterizohet nga mungesa e një stili të vetëm orientues apo pikë-nisës.Të gjitha punimet artistike “Oclectic” të kësaj kategorie janë të punuara me dorë, duke përdorur si kanavacë sipërfaqe qelqi, shishe, kavanozë apo të tjera enë xhami të ricikluara, të mbledhura e të seleksionuara në kohë, në lloje, madhësi dhe forma nga më të ndryshmet.Një kujtim dashurie kthehet në art“Oclectic” mund të ngrijë artistikisht një kujtim të dashur apo një moment të rëndësishëm të jetës suaj, duke shndërruar në një vepërz arti shishen e shampanjës të hapur për martesën tuaj apo përvjetorin e parë, atë shishen e verës që ju pat dhuruar një mik special, kavanozin e parë të puresë së foshnjës suaj, vazon e luleve të para për festën e nënës. Idetë janë pa kufi, duke i shtuar më pas zgjedhje të pafundme në ngjyra, dizenjo, motive, simbolika, shenja, fjalë, data, apo çfarëdo preference tjetër, duke e kthyer atë kujtim apo moment të shënuar tuajin në një histori të bukur për t’u parë e lexuar me sy e zemër./OraNews Online/