Merr fund rezistenca, Lushtaku me shokë sot para gjykatës
Kosovë- Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, sëbashku me të dy të dyshuarit tjerë, Sahit Jashari e Ismet Haxha, janë dërguar mbrëmë në burgun e Dubravës, ndërkaq sot pritet që të dalin para trupit gjykues në veri të Mitrovicës së bashku me personat tjerë të ”Grupit të Drenicës”.Ata janë arrestuar pas mesnatës në Qendrën Klinike Universitarë të Prishtinës, prej nga ku pretendohej se ishin arratisur të martën, duke refuzuar transferimin në qendrën e paraburgimit në Mitrovicën e Veriut.Sami Lushtaku, së bashku me të dy të dyshuarit tjerë, Sahit Jashari e Ismet Haxha kanë kundërshtuar dërgimin e tyre në Burgun e Mitrovicës, madje para QKUK-së janë organizuar protesta nga ana e familjarëve dhe bashkëluftëtarëve të tyre për ta kundërshtuar këtë vendim.Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur më 8 nëntor të vitit të kaluar aktakuzë ndaj 15 personave në këtë Gjykatë, nën dyshimet se kanë “kryer krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve, dhe vrasje”, të cilat supozohen të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc të komunës së Skenderajt, në vitin 1998.