MPJ dënon ngjarjet në Shkup: Vrasja të mos shndërrohet në konflikt etnik

Tiranë- Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhje dhe dënon vrasjen e të riut maqedonas, por ndërkohë shpreh shqetësim të thellë ndaj përpjekjeve për ta shndërruar këtë akt kriminal në një konflikt etnik dhe sulm me baza urrejtjeje ndaj bashkësisë shqiptare.Përmes një njoftimi për mediat, MPJ thekson se ngjarje të tilla që provokojnë acarim të marrëdhënieve ndëretnike, në dëm të bashkëjetesës mes dy popujve, duhet të marrin përgjigjen e merituar nga i gjithë faktori politik dhe institucional në vend.“Ministria e Punëve të Jashtme ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të madh ngjarjet e ditëve të fundit në Komunën Gjorge Petrov në qytetin e Shkupit. Sipas burimeve zyrtare, në mbrëmjen e datës 19 maj, në këtë komunë, një i ri 18-vjeçar i etnisë maqedonase është goditur me thikë nga një i dyshuar i etnisë shqiptare dhe si pasojë viktima ka humbur jetën. Situata ka precipituar më pas dhe banorë të kësaj zone kanë djegur dhe shkatërruar dyqane dhe prona të banorëve shqiptarë, duke hedhur madje edhe parulla si: “vdekje shqiptarëve”, “shfarosuni”, “qofshi të mallkuar”, “shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur” etj” thuhet në njoftim.Ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet reagimin e shpejtë të autoriteteve maqedonase dhe ndërkohë inkurajon hetimin e plotë të ngjarjes si dhe vënien përpara drejtësisë, të autorëve të vandalizmave dhe shkatërrimit të pronave të banorëve shqiptarë.