Pasojat e përmbytjeve në Ballkan, miliarda euro dëme, dhjetra viktima
Ndërsa duket se ujërat po tërhiqen, duke nxjerrë në pak pasojat e përmbytjeve shkatërruese të ditëve të fundit, ekspertët kanë bërë edhe përllogaritjet e para të dëmeve.Vetëm në Bosnje, dëmi financiar nga përmbytjet është përllogaritur në 1.3 miliard, në Kroaci shumë më pak, ndërsa në Serbi dëmet financiare shkojnë deri në 2 miliardë euro, pa llogaritur faktin se tashmë mijëra persona kanë evakuuar shtëpitë.Vullnetarë nga vendet e BE-së kanë mbërritur ne terren për të dhënë ndihmën e tyre. Grupe të huaja po kryejnë vizita mjekësore pas rritjes së frikës për përhapjen e ndonjë epidemie, pas asaj që me të drejtë qytetarët e prekur nga kjo tragjedi, e quajnë "kataklizëm natyrale".Në zonat që u prekën nga përmbytjet si në Serbi ashtu dhe në Bosnje, ndonëse ujërat janë tërhequr banorët rrezikohen nga epidemitë dhe minat. Veç viktimave në njerëz, nga kushtet e vështira të ditëve të fundit, ngordhën edhe shumë kafshë. Dekompozimi i trupave të tyre, shton mundësinë e përhapjes së sëmundjeve infektive.Sot në mëngjes, autoritetet zyrtare deklaruan se numri i viktimave ka arritur në 51, 27 prej të cilëve në Serbi. Por numri i viktimave mund te rritet, pasi sipas autoriteteve shumë persona rezultojnë të zhdukur, kryesisht në qytetet kufitare si Oras dhe Berckov, të cilat sërish mbeten të rrezikuara nga përmbytjet.Ajo çka kanë lënë pas përmbytjet dhe shirat e rrëmbyer, janë rrënojat e qindra shtëpive e biznesve dhe agrikultura rrënjësisht e shkatërruar. Mbi 3500 km rrugë e autostrada janë shkatërruar, ndërsa 30% e sistemit hekurudhur në Bosnjë e Serbi është shkëputur.Qeveritë e të dy vendeve, kanë nisur negociatat me BE-në, për ti asistuar e mbështetur financiarisht.