KiE: Sistemi i Drejtësisë të jetë i pavarur, Nishani: profesionistët të mos stepen

Tiranë-Vetëm pak javë para dhënies së vendimit për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian ka kërkuar që të krijohet që sistem drejtësie i pavaruar dhe efiçent.Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e organizuar me rastin e prezantimit të projektit të përbashkët BE-KiE "Mbështetje për efikasitetin e drejtësisë", Christian Danielsson, theksoi se funksionimi i gjyqësorit është kyç për një shtet demokratik.“Funksionimi i gjyqësorit është kyç për krijimin e një shteti demokratik.Ne duam të shohim një gjyqësor të pavarur,efiçent dhe transparent. Shteti i së drejtës do kohë që të vendoset dhe për këtë duhet punuar sa më shumë.Ky projekt pritet të japë rezultate dhe do të sjellë një reformë gjthpërfshirëse për sistemin e drejtësisë.Ne kemi dhënë 100 milion euro dhe do vazhdojmë të kontribuojmë” tha ai.Ndërsa kreu i shtetit, Bujar Nishani, tha se kuadri ligjor në vend ofron të gjitha garancitë për mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit personal të ligjzbatuesve.Ai u bëri thirrje profesionistëve të ligjit të mos stepen nga kritikat, por të përmirësohen duke marrë pjesën konstruktive të tyre.“Sistemi i drejtësisë duhet të përqëndrohet dhe përfitojë nga masa konstruktive e kritikës, duke kërkuar të ofrojë më shumë përpjekje në rritjen e cilësisë dhe efiçensës së sistemit të drejtësisë. Në këtë klimë zhvillimesh dhe debatesh detyra parësore për përmirësimin e sistemit të drejtësisë rëndon mbi vetë profesionistin e zbatimit të ligjit, mbi gjyqtarët, prokurorët, mbi mbrojtësit, mbi personelin administrativ. Ky komunitet profesionistësh shqiptarë ka të gjitha kapacitetet për të identifikuar problematikën dhe për tu shndërruar në një forcë shtytëse reformatore të sistemit. Shqipëria ka një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të zbatimit të ligjit që karakterizohen nga profesionalizmi i lartë, integriteti dhe përkushtimi në detyrë. Ka një numër të lartë profesionistësh që përmbushin detyrat e tyre duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjit, të cilët nuk duhet të stepen aspak nga kritikat masive, gjithpërfshirëse dhe demotivuese që i adresohen në terësi sistemit të drejtësisë, duke krijuar presion të papërshtatshmëm edhe për ata që janë profesionistë. Unë dëshiroj tu drejtohem këtyre profesionistëve që përpjekjet e tyre janë të evidentuara dhe secili prej tyre duhet të vazhdojë të kryejë funksionin duke ju nështruar vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Kuadri legjislativ dhe institucional në Shqipëri ka të gjitha garancitë për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e tyre profesional. Ka ardhur dita që kjo pjesë e shëndetshme e sistemit të drejtësisë të veprojë aktivisht dhe të bëhet model orientues dhe frymëzues në veprimtarinë e përditshme të sistemit të drejtësië, duke izoluar çdo ditë e më shumë modelet e korrupsionit dhe mungesës së profesionalizmit”.Presidenti shtoi më tej se i gjithë procesi i reformimit të drejtësisë duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, për ta bërë sistemin të pajtueshëm me standardet e KiE.“Ka ardhur dita që fjalë kyçe dhe frymëzuese në veprimtarinë e përditshme duhet të jetë gjithpërfshirja dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe besimi i ndërsjelltë. Mekanizmat ligjore dhe strukturat që ekzistojnë, shoqatata e shoqërisë civile dhe vullnetare kanë një detyrë për të kordinuar , bashkëvepruar dhe bashkërenduar angazhimet dhe përballjet e sfidave që ka qeveria shqiptare dhe adresimin e standardit të pritshërimeve që kanë qytetarët shqiptarë si qytetarë të patjetërsueshëm në gjenezë, realitet, dhe të ardhme europiane.Reforma e sistemit të drejtësisë në analizë të fundit është çështje e pandalshme dhe shkon paralelisht me zhvillimin shoqëror dinamik të Shqipërisë, i cili imponon përmirësimin e vijueshëm të standardeve në këtë drejtim dhe efiçensës së drejtësisë. I referohem me këtë rast raportit të progresit të KE 2013, që thekson se Shqipëria ka nevojë të përditësojë strategjinë e reformës në drejtësi dhe të promovojë më tej pavarësinë, efiçensën dhe përgjegjshmërine e institucioneve të saj të drejtësisë. Në të njëtën linjë, komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës është i mendimit se duhen përpjekje të mëtejshme për ta bërë sistemin e drejtësisë plotësisht të pajtueshëm me standardet e KiE. Ndër problemet që mbeten për tu trajtuar në mënyrë të efektshme janë lufta kundër korrupsionit, efiçensa e gjyqësorit përfshirë dhe problemet e ngarkesave të çështjeve të prapambetura”tha ai.Nishani theksoi se mjaft i rëndësishëm është dhe procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe i animimit të qytetarëve.“Për ne është shumë e çmuar mbështetja e BE në sistemin e drejtësisë për integrimin në BE. Këtij synimi i vlen procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe ankimit të qytetarëve. Këto janë baza e meritave të secilit gjyqtar në proceset disiplinore. Ne duhet të jemi krenarë se kemi krijuar një bazë të dhënash të vlerësimit të gjyqtarëve si dhe një listë gjyqtarësh. Kjo përkon me pritshmëritë e qytetarëve. Ne kështu hedhim një hap të rëndësishëm në përmirësimin e kuadrit ligjor në respektim të detyrimit ndaj ligjit dhe Kushtetutës, për të përmbushur detyrimet tona dhe për të respektuar pritshmëritë e qytetarëve.”Në raportin e fundit KiE thekson se vendi ynë duhet të përmirësojë sistemin e drejtësisë sidomos në luftën kundër korrupsionit, zvarritjen e çështjeve të gjyqësorit si dhe forcimin e pavarësisë.