Bushati në SHBA, takim miqësor me zv/Presidentin Biden

Washington- Në përmbyllje të vizitës së tij në Uashington, Ministri Bushati sëbashku me homologët e tij të pranishëm në konferencën e Këshillit të Atlantikut u pritën në një takim të veçantë nga Zv. Presidenti amerikan Joe Biden, gjatë të cilit u bisedua mbi çështjet kryesore të aktualitetit ndërkombëtar dhe rajonal.Lajmi është konfirmuar nga vetë Ministri Bushati në faqen e tij zyrtare në fb, ku shprehet se “u ndjeva i vlerësuar dhe i inkurajuar nga vullneti i lidershipit amerikan për të thelluar partneritetin euro-atlantik dhe për të forcuar rolin amerikan në rajon në bashkëveprim me BE”.Në kuadër të vizitës që po zhvillon në SHBA, Ministri i Punëve të Jashtme ka pasur një sërë takimesh me zyrtarë amerikanë. Bushati është takuar me Zv/Sekretarin e Shtetit, William Burns,kongresmenët Robert Aderholt dhe Eliot Engel.Gjatë takimit me Burns, Bushati vlerësoi miqësinë dhe partneritetin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe vullnetin e angazhimin për t’i konsoliduar dhe për t’i strukturuar më tej ato.Ministri e falënderoi Burns për ndihmën e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptareve në përmbushjen e aspiratave të tyre euroatlantike. Gjithashtu, Ministri Bushati theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, për të kontribuuar dhe inkurajuar stabilitetin dhe paqen në rajon dhe me gjerë.“Angazhimi i përhershëm amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie jetike për sigurinë dhe konsolidimin demokratik të rajonit”, u shpreh Ministri Bushati.Një vëmendje e veçantë, gjatë takimit, iu kushtua tensioneve në rritje në Ukrainë dhe rrezikut të pasojave destabilizuese për Evropën lindore dhe me gjerë. Në këtë kontekst Zv/Sekretari i Shtetit vlerësoi qëndrimet dhe vendimet e Qeverisë shqiptare, e cila ka kontribuuar me dërgimin e vëzhguesve në Ukrainë.Gjithashtu, Burns shprehu vlerësimin për angazhimet konkrete të Shqipërisë, krahë Shteteve të Bashkuara, në një sërë çështjesh dhe sfidash ndërkombëtare, kontributet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s, si dhe rolin dinamik dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajon.Ai siguroi për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në proceset integruese të Shqipërisë dhe inkurajoi vazhdimin e reformave te nisura.