Kriza në Ukrainë, atasheu rus ndalohet për spiunazh

Ukrainë- Një atashe ushtarak rus është ndaluar në Ukrainë i dyshuar për spiunazh dhe është urdhëruar që të largohet nga vendi. Sipas Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, ushtaraku, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është angazhuar në aktivitete "jo në përputhje me statusin e tij diplomatik".Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ka konfirmuar për rrjetin BBC se atasheu rus është ndaluar të mërkurën dhe është shpallur person nongrata. Ai nuk pranoi të japë detaje të mëtejshme në lidhje me këtë operacion të Kievit zyrtar.Ndërkohë nga Kremlini deri tani nuk ka pasur një reagim publik për këtë çështje. Kjo ngjarje vjen në kohën kur tensionet mes Kievit dhe Moskës janë në kulmin e tyre.Separatistët e armatosur pro-rusë vijojnë të mbajnë të bllokuara një numër të madh të ndërtesave qeveritare në lindje të Ukrainës, veçanërisht Donjesku dhe Luhansk janë thuajse krejtësisht në dorën e tyre, duke filluar nga administrata dhe deri te policia.Të mërkurën Presidenti i përkohshmëmi Ukrainës, Olexandr Turchynov,pranoi se forcat e tij ishin " të pafuqishme " për të shuar trazirat, duke thënë se qëllimi i qeverisë së tij ishte shmangia e përhapjes së tyre në rajone të tjera të vendit.Turchynov tha gjithashtu se vendi i tij ndodhet në gatishmëri luftarake për shkak të frikës së një pushtimi rus. Kiev dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë për orkestrim të trazirave, një pretendim ky që Moska e mohon, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të pushtojë lindjen e Ukrainës.Rreth 40.000 trupa ruse janë të vendosur në afërsi të kufirit me Ukrainën. Moska ka paralajmëruar se ushtarët e saj do të veprojnë në qoftë se kërcënohen interesat e qytetarëve ruse në Ukrainën lindore.SHBA-të dhe BE-ja kanë akuzuar Rusinë se ka shkelur marrëveshjen e Gjenevës, në të cilën u ra dakord që të çarmatosen separatistët, të ndalohet dhuna dhe të lirohen ndërtesat qeveritare. Kjo çoi edhe në rritjen e sanksioneve për Rusinë.