Vasili: Meta bashkëkryetar me Berishën, siç është sot me Ramën

Tiranë- Ilir Meta ishte bashkëkryetar edhe në qeverisjen Berisha, sikundër vijon të jetë me qeverinë Rama. Kështu i përgjigjet akuzave, por dhe ironisë së opozitës, kryesisht të ish-kryeministrit Berisha, kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili. Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, Vasili tha se marrëveshja e bashkëqeverisjes ka të bëjë me marrje përgjegjësish, por në ndryshim nga Rama që sipas Vasilit e ka pranuar publikisht që kjo qeverisje ka dy lider, Berisha e ka të pamundur ta pranojë.“Unë e kam parë këtë term të përdoret gjerësisht, e kam parë dhe me objektivitet dhe sarkazëm. Objektivisht janë dy liderë të dy forcave kryesore politike që kanë ndarë përgjegjësitë politike, asnjëri nuk zëvendëson tjetrin të dy plotësojnë njëri-tjetrin. Ilir Meta ka stabilizuar një klimë të re në parlament, duke i kthyer hapësira pa fund opozitës që nuk i ka patur më parë. Pa një parlament që nuk funksionion në mënyrë demokratike nuk mund të ketë qeverisje dhe këtë detyrë Ilir Meta e ka kryer në mënyrën më të mirë. Ndërkohë Edi Rama po kryen detyrën e Kryeministrit duke bërë të pamundurën për të kthyer një qeverisje efektive dhe të ndershme në vend.Tani vimë tek pjesa e sarkazmës.Dy liderë të fortë kanë qenë dhe para këtij koalicioni, Ilir Meta dhe Sali Berisha, atëherë pse nuk kishim bashkëkryetar?! Dihej fare mirë që pa votat e LSI qeverisja e kryeministrit Berisha nuk mund të qëndronte në këmbë. Berisha nuk ka pranuar të përdorë termin bashkëkryetar, ashtu si Rama që ka thënë publikisht se po jemi dy njerëz që drejtojmë dhe nuk ka pasur komplekse. Po pres me durim që Berisha ta thotë këtë gjë, ka një ngërç të vazhdueshëm me veten dhe nuk e pranon që edhe ai ka qenë me bashkëkryetar por është pjesë e humorit dhe sarkazmës politike” deklaroi ai.Në vijim të intervistës me drejtorin e Informacionit, Patrik Sadikaj, Vasili tha se aspekti themelor i punës së qeverisjes Rama-Meta mbeten përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve dhe krijimii një klime sa më pozitive për biznesin.“Marrëdhënia PS-LSI po ecën mbi një marrëveshje politike të caktuar që ecën në shenje korrektese reciproke. Marrëveshja është principiale,privilegjon atë komponentin profesional që në rast se në një pozicion të caktuar pune konkurojnë disa njerëz jemi të prirur që atje të shkojë ai që është më afër këtij profesioni dhe jo një për hir të formulës politike.Kjo nuk është ndarje pushteti, kemi ndarë përgjegjësitë. Aspekti themelor i punës ka qenë si këto veprimtari që drejtohen nga një mazhorancë e re u krijojnë lehtësira më të mëdha qytetarëve në shërbime dhe lehtësira më të mëdha që biznesi të funksionojë i qetë.Po përpiqemi që burokracitë shtetërore të minimizohen, që Shqipëria të jetë atraktive për investimet e huaja dhe në këtë shenjë të punojnë dhe administratorët e mazhorancës së re”deklaroi Vasili.Referuar protestave të sotme nga të shkarkuarit nga adminsitrata, nënkryetari i LSI-së thekson se vlerësimi ekonomik i një vendi nuk identifikohet me një person të dalë në listë pritje në administratën shtetërore si rezultatat i strukturimit. Sipas tij e ardhmja e punësimit të qytetarëve mbetet sektori privat, kryesisht ai fason.“Punësimi në Shqipëri në masën 80% realizohet nga sektori privat. Nëse ky sektor merr stimul pozitiv, i likujdohen borxhet, mund të punësojë mijëra e mijëra njerëz është burim optimizmi. Nuk mund ta përkthej këtë me pakënaqësinë e dikujt që në adminsitratë shtetërore për hir të strukturimit del në listë pritje, që janë numra të kufizuar që nuk mund të jenë këta që bëjnë vlerësimin për vendin. Duke parë mjaft biznese, si ai fason, ku në një sekondë të vetme punësohen 300-400 punëtorë, është personeli i të paktën 6 Ministrive. Pakënaqësia apo kënaqësia varet se çfarë ritmi merr jeta ekonomike”përfundoi Vasili.